Videot në TikTok, gjyqtarja e Elbasanit pezullohet nga detyra deri në mbyllje të hetimeve
Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për pezullimin nga detyra deri në përfundim të procesit disiplinor të gjyqtares së Gjykatës se Elbasanit, Enkeleda Kapedani dhe i kërkoi ILD-së kryerjen e hetimeve të mëtejshme për shkeljen disiplinore që i atribuohet magjistrates.
Gjatë paraqitjes në KLGJ, Kapedani ka kërkuar që t'i dëgjohet zëri dhe të dalë në dritë e vërteta. Gjithashtu ka paraqitur dorëheqjen nga detyra e zëvendëskrytares.
Gjyqtarja e Elbasanit ka deklaruar se ka bërë video që i përkasin jetës së saj personale, por kurrsesi me qëllim për t'i publikuar ato në rrjete sociale, duke shtuar se shumë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë ‘açount’ të tyre personale në rrjete ‘TikTok’, ‘Instagram’ e ‘Facebook’.
Duke iu drejtuar anëtarëve te KLGJ-së, Kapedani tha se pret prej tyre gjykim të paanshëm dhe profesional.
''Mos lejoni që ethet e klikimeve dhe bota e krimit te ndikojnë tek vendimi juaj, mos të sakrifikohem për qëllime të tjera,'' u shpreh ajo në fjalën e saj.
Ndërkohë Inspektori i Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, ka kërkuar që gjyqtarja të pezullohet nga detyra deri në përfundim të hetimit, pasi me sjelljet e saj diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit.
"Sjelljet dhe veprimet e magjistrates të kryera jashtë ushtrimit të detyrës, por edhe në ambientet e ushtrimit të detyrës, diskretitojnë figurën dhe pozitën e magjistratit dhe dëmtojnë besimin e publikut në sistemin gjyqësor, duke u parashikuar si shkelje shumë e rëndë disiplinore" tha ai.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani nënvizoi se “gjyqtari duhet të ruajë dhe zbatojë standarde të larta të sjelljes dhe duhet t’i respektojë personalisht këto standarde, si gjatë ushtrimit të detyrës ashtu edhe në jetën private. Gjyqtari duhet të transmetojë përvecse drejtësi, edhe besueshmëri e etikë të lartë, integritet në dhënien e një vendimi gjyqësor. E për ta përmbushur, sjellja e tij duhet ta reflektojë këtë në cdo aspekt të punës dhe jetës së tij.“
Bazuar në konkludimet e hetimit disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani i propozoi Këshillit të Lartë Gjyqësor, pezullimin nga detyra të magjistrates Kapedani deri në përfundimin e procedimit disiplinor dhe masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”.


