Babë e bijë nuk shkuan për gjyq, por për vrasje. Vajza i dha çantën ku ndodhej arma, Mexhit Picarit

Dhurata Saliaj së bashku me babain e saj ditën e premte, (4 qershor 2021) nuk ishin përgatitur për gjyq, por për të kryer vrasje.

Ky është konkluzjoni paraprak që ka dalë policia dhe prokuroria e Tiranës, e cila prej tre ditësh është duke kryer veprime hetimore për ngjarjen e rëndë të vrasjes së Kudret Saliaj, ndodhur në ambjentet e një lokali të njohur pranë Gjykatës së Tiranës.


Duke studjuar pamjet filmike të këtij lokali, policia thotë në relacionin e saj dërguar prokurorisë, se dy autorët e krimit dhe viktima ishin në të njëjtin lokal.

Shumë pranë tyre në një tavolinë tjetër ndodhej, Kudret Saliaj, avokati i tij Adriatik Cama dhe një psikologe. Psikologia kishte paraqitur një raport mbi gjëndjen psikologjike të fëmijëve, që më pas do lexohej para gjyqtares së çështjes, ku zhvillohej procesi gjyqësor i divorcit mes Kudret Saliaj dhe Dhurata Saliaj.

Babë e bijë kanë shkuar afër gjykatës së Tiranës me të njëjtën makinë.

Në orën 11:52 ata kanë hyrë në lokal “T….B” dhe situata ka qënë shumë e qetë. Por pas 48 sekonda, thuhet në raport situata ka dalë jashtë kontrollit, pasi Dhurata Saliaj, çantën e krahut që mbante me vehte, ja ka dhënë babait të saj, i cili prej andej ka  nxjerë një pistoletë tip “TT”.

Ky i fundit është ngritur në këmbë dhe është afruar pranë tavolinës ku qëndronte, dhëndri i tij, Kudret Saliaj dhe avokati Cama, i cili në këtë moment ishte duke lexuar një raport të paraqitur nga psikologia.

 Mexhit Picari, ka qëlluar plot 4 plumba në kokë dhe gjoks dhëndërin e tij, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa ka qëlluar me një plumb në shpatull dhe avokatin Adriatik Cama, që më parë ka shërbyer si prokuror në Tiranë.

Babë e bijë, kanë dalë me urgjencë nga lokali, duke marë rrugën drejt tunelit që të nxjer në bulevardin “Bajram Curri”.

Silueta e tyre është filmuar nga disa kamera në zonë, ku duken qartë se kalojnë mbi urën e këmbësorve në lumin Lana dhe aty Mexhit Picari, flak dhe pistoletën me të cilën kreu vrasjen e dhëndërit të tij, Kudret Saliaj.

Shumë pranë vendit të krimit, në një lokal tjetër ka qënë prezent djali i madh i Dhurata dhe Kudret Saliaj, i cili nuk ka parë skenën e krimit, por ka treguar se babai i tij, para vrasjes i kishte thënë: “…meri këto lekët dhe ik shko pi kafe në një lokal tjetër…”.

Këtë gjë sipas djalit, babai ja tha pasi nuk donte që ai të qëndronte në të njëjtin ambient ku ishin ulur nëna e tij dhe gjyshi. Ndërsa vetë autori i krimit Mexhit Picari, ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar se vrasjen e kishte kryer në kushtet e ofendimit që dhëndri i tij, Kudret Saliaj, i kishte bërë mes shumë persona të tjerë të pranishëm në ambjentet e lokalit.