Fëmijët prapa hekurave kërkojnë të atin, akuzohet për vrasje por familja e mohon

Gjykata e Fierit rihapi dosjen e vrasjes se biznesmenit Novruz Likometaj në 2015. Skënder Krasniqi akuzohet për herë të dytë për krimin. Këtë të hënë në seancë mes lotëve dhe denoncimeve, familjarët thanë se ai është i pafajshëm.

Nëna dhe fëmijët e Skënder Krasniqit, po prisnin në dyert e Gjykatës.

Lëshuan thirrje për ta takuar por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Krasniqi, u arrestua 7 muaj më parë, për vrasjen e 82-vjeçarit, Novruz Likometaj në vitin 2015.

Gjykata e Shkallës së Parë në Fier me kërkesën e prokurorisë vendosi këtë të henë, rihapjen e dosjes dhe dërgimin e çështjes për gjykim.

Për të njëjtën vepër penale ishte shpallur një herë i pafajshëm nga Gjykata dhe për pasojë u lirua.

Por prokuroria iu rikthye ekzekutimit pas 6 vitesh me argumentin se ka siguruar prova të reja që e bëjnë fajtor Skënder Krasniqin.

Të kundërtën pretendon e ëma.

"Të ma nxirrni dhe jashtë shtetit nuk dua vetëm të jetë në Shqipëri. Është i pafajshëm. Krimi është në familje, ti varin në litar dhe nuk do të ketë më krim në familje. Ju falenderoj për respektin. Pse palën e tyre e morën brenda, se ka lek ai dhe nuk kam unë? Pse për lekë vuaj unë, unë vuaj për kalamajtë e mi, për djalin që e kam rritur jetim, janë në terezi këta apo jo?" tha ajo për mediat pas seancës.

Biznesmeni, Novruz Likometaj, u gjet i masakruar në një kosh mbeturinash në 2015 në Fier, ndërsa Likmetaj tanimë është i akuzuar për herë të dytë për këtë krim.