Johnson: Liderët e G7 të angazhohen për vaksinimin deri në fund të 2022
Britania e Madhe do t’i kërkojë vendeve të G7 të angazhohen për të vaksinimin global deri në fund të vitit 2022. Në takimin që pritet të mbahet më 11 qershor mes udhëheqësve të lartë, do të përcaktohen edhe objektivat për procesin. Ndërkohë, në takimin e kësaj të shtune, ministrat e Financave të G-7 arritën një marrëveshje për taksat ndaj gjigantëve të teknologjisë.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, do t’i kërkojë liderëve të G7 të angazhohen për të vaksinimin global deri në fund të vitit 2022.
Në takimin që pritet të mbahet më 11 qershor mes udhëheqësve të lartë, Johnson do të përcaktojë objektivin për nisjen e këtij procesi.
“U bëj thirrje udhëheqësve të G7 të bashkohen me ne për t'i dhënë fund kësaj pandemie të tmerrshme. Të sigurohemi që një situatë si kjo që po kalojmë të mos ndodhë më kurrë”, citohet të jetë shprehur kryeministri britanik.
SHBA, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia kanë njoftuar për sasitë e dozave që do të dhurojnë për programin global të vaksinave. Ndërsa Britania e Madhe dhe Kanadaja ende nuk kanë dhënë shifra për kontributet e tyre të planifikuara për programin COVAX.
Ndërkohë këtë të shtunë, grupi i shtatë vendeve me të industralizuara të botës (G-7) ra dakord të mbështesë një normë minimale takse në rang botëror prej të paktën 15% ndaj korporatave shumëkombëshe. Vendimi synon t’i parandalojë këto kompani që të shmangin taksat dhe sigurojnë fitime të mëdha në vendet me taksa të ulëta.
Takimi i Ministrave të Financave të vendeve të G-7-s, që po zhvillohet në Londër, miratoi gjithashtu propozimin që kompanitë më të mëdha në botë, përfshirë gjigantët e teknologjisë me bazë në SHBA, të paguajnë taksa në vendet ku ata kanë shumë shitje, por pa pasur fizikisht një zyrë aty.
Kjo marrëveshje, hedh bazat për një pakt më të gjerë në bisedimet që mbahen në Paris mes më shumë se 140 vendeve, si dhe Ministrave të Financave të Grupit të 20-s që mbahet në Venecia në muajin korrik.

