Vendimi i Kushtetueses/ Zef Hila u shkarkua brenda 24 orësh, u njoftua pas 21 ditësh. Rama firmosi pa mbledhur Këshillin e Ministrave
I janë dashur vetëm 24 orë, pa mbledhje, por vetëm një firmë që kryeministri Edi Rama të shkarkojë kryetarin e bashkisë së Vau Dejës Zef Hila.
Këtë procedurë e ka konstatuar edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të argumentuar prej 29 faqesh me të cilën shfuqizon vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Zef Hilës nga posti i kryetarit të bashkisë së Vau i Dejës. Vendimi nr 25 u publikua më 10 qeshor 2021.
Çudia nuk mbyllet këtu. Ndërsa u deshën 24 orë për shkarkimi është e tij, pra nga pikëpamja kohore është karakterizuar nga urgjenca, publikimi i aktit të shkarkimit zhvilluar me procedurë normale dhe qeverisë i është dashur 21 ditë për ta njoftuar individualisht Hilën për vendimin që është marrë, raporton Ora News.
“Gjykata vëren se relacioni i ministrit të Brendshëm dhe vendimi nr. 445/2019 i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kërkuesit nga detyra mbajnë të njëjtën datë, konkretisht datën 28.06.2019 dhe i referohen ngjarjes së ndodhur në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës në datën 27.06.2019. Vendimi i shkarkimit është botuar në Fletoren Zyrtare në datën 02.07.2019, ndërsa kërkuesit i është komunikuar me shkrim në datën 19.07.2019.
“Duke qenë se procedura e shkarkimit është zhvilluar në mënyrë urgjente, kërkuesi nuk rezulton të jetë njohur paraprakisht me shkeljet të cilat i janë atribuuar, në mënyrë që, në një ballafaqim procedural, të mund të paraqiste kundërshtimet e tij ndaj këtyre shkeljeve. Pra, atij nuk i është dhënë mundësia të realizojë të drejtën për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur shpjegime, në kuadrin e procesit të rregullt ligjor. Pyetjes së Gjykatës në këtë drejtim, subjekti i interesuar iu përgjigj në seancë plenare se nuk kishte pasur asnjë komunikim me kërkuesin, qoftë edhe me mjete teknologjike, që mund të garantonin shpejtësinë e njoftimit.” Thuhet n137 vendimin e Gjykatës Kushtetuese, raporton Ora News.
"Mashtrimi" me informacionin sekret
Gjykata ka analizuar nëse kishim të bënim vërtet me një rast urgjent për shkak të dëmit që mund t’i vijë interesit publik nga vonesa apo jo.
Qeveria ka parashtruar se vendimi i shkarkimit është marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave dhe në kushtet e urgjencës për shkak të situatës së krijuar në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës. Një tjetër pretendim ishte se dispononte informacion të klasifikuar sekret shtetëror që tregonte cenimin e interesit publik.
Por pas deklasifikimit të këtij informacioni gjykata Kushtetuese ka vërejtur se përmbajtja rezultoi se bëhej fjalë për një raport të hartuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me të njëjtën përmbajtje faktike që ishte pasqyruar në relacionin shoqërues të vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kërkuesit,"i cili nuk ishte klasifikuar asnjëherë si sekret shtetëror”
Shkarkimi pa mbledhje
Gjithashtu qeveria nuk ka arritur t'i provojë Gjykatës Kushtetuese se është bërë mbledhja e Këshillit të Ministrave.
“Gjykata vëren se neni 14 i ligjit nr. 9000/2003 lejon mbledhjet e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, në raste të veçanta, kur thirret nga Kryeministri ose, në mungesë dhe me porosi të tij, edhe nga zëvendëskryeministri. Ndonëse iu kërkua nga Gjykata, subjekti i interesuar nuk ka paraqitur të dhëna dhe as dokumente për të dëshmuar thirrjen e kësaj mbledhjeje, rendin e ditës, vendin e zhvillimit të saj ose pjesëmarrësit në të, duke pretenduar se aktet që përmbajnë këto të dhëna ekzistojnë, por nuk mund të paraqiten për shqyrtim në Gjykatë, pasi janë të mbrojtura nga konfidencialiteti.“ thuhet në vendimin argumentuar të gjykatës.
Nuk kishte urgjencë, luajti rolin e prokurorisë e policisë
Nga ana tjetër, Gjykata konstaton se aktet e paraqitura nga Këshilli i Ministrave duke përfshirë edhe shpjegimet në seancë, nuk argumentuan mjaftueshëm dëmin urgjent që i vinte interesit publik nëse ndaj kërkuesit (Zef Hila) do të ishte ndjekur një procedurë normale disiplinore, me të cilën t’i jepej koha e duhur për t’u njohur me aktet dhe për të paraqitur shpjegimet e tij, raporton Ora News.
"Duke qenë se qëllimi i Këshillit të Ministrave në këtë procedurë urgjente ka qenë ndërprerja ose parandalimi i veprave penale zgjedhore, duhet vënë në dukje se funksioni i ndërprerjes së veprave penale dhe i parandalimit të tyre i përket sferës juridiksionale të kompetencave publike që ushtrohen nga gjykata, prokuroria dhe Policia e Shtetit, sipas rregullave të Kodit të Procedurës Penale, të cilat, gjithashtu, respektojnë standardet e procesit të rregullt ligjor, duke përfshirë të drejtën për t’u njoftuar, për t’u dëgjuar dhe për të dhënë shpjegime.
Në këtë situatë, Gjykata çmon se procedura urgjente e shkarkimit nga detyra nuk sillte ndikim jo vetëm në drejtim të administrimit të Bashkisë së Vaut të Dejës, por as në drejtim të ndërprerjes dhe parandalimit të veprave penale në territorin e kësaj bashkie, për të cilat vepron një mekanizëm i ndryshëm institucional, sipas rregullave ligjore të tjera."
Për arsyet e mësipërme, Gjykata vlerëson se në procesin e shkarkimit të kërkuesit nuk janë respektuar në nivelin minimal e drejta për t’u njoftuar dhe e drejta për t’u dëgjuar, edhe pse nuk rezulton të ketë pasur shkak ligjor për të mos respektuar këto të drejta.
Vërehet se relacioni i ministrit të Brendshëm nuk është dhënë asnjë e dhënë përse është bërë shkarkimi urgjent.
Gjykata vlerëson se vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kërkuesit nuk respekton standardin e arsyetimit. Si dhe vlerëson se pretendimi i kërkuesit për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë është i pabazuar.
Pro vendimit për të rrëzuar Këshillin e Ministrave kanë votuar 4 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja dhe Përparim Kalo, Elsa Toska, ndërsa gjyqtarët Fiona Papajorgji dhe Altin Binaj, kanë qenë pro vendimit të Këshillit të Ministrave.

