Rama: BE ka thyer premtimet, po çon në përçarje popujt e Ballkanit
Kryeministri, Edi Rama, në një intervistë për gazetën gjermane Bild, me tone të forta kritike ka akuzuar BE-në për bllokimin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për arsye populiste.
"BE-ja ka thyer premtimet dhe po çon në përçarje popujt e Ballkanit me cinizëm politik," deklaroi Rama shkruhet në artikullin e gazetës gjermane "Bild" me titull "Albanien-Premier geht auf die EU los".
Rama nënvizon se BE nuk po shpërblen përpjekjet e këtyre popujve.
"Ka shumë kërkesa që ne duhet të plotësojmë në mënyrë që të bëhemi anëtar. Sidoqoftë, dy kombet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar me të vërtetë procesin e negociatave me Brukselin. Një fillim i tillë i negociatave tashmë ishte vendosur nga vetë Këshilli i BE në 2018-ën. Por përpjekjet e popujve tanë nuk janë shpërblyer. Më e pakta që meritojmë tani është përgjigjja në pyetjen tonë. Pse?"
Kryeministri thekson se vendi i tij nuk synon të anëtarësohet menjëherë, duke thënë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë disa probleme dhe pikërisht për këtë arsye, vendet kanë nevojë të përshpejtojnë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, që të pajisen me instrumentet e duhura për të zgjidhur pikërisht këto probleme.
"Të jemi të qartë. Ne nuk po kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian nesër ose pasnesër. Shqetësimi ynë i vetëm tani është të marrim programet e nevojshme të ndihmës nga BE, në mënyrë që të rritemi në rolin e një anëtari të ardhshëm në procesin e negociatave të pranimit."
Rama kërkon përgjigje nga BE-ja:"Nëse Bashkimi Evropian me të vërtetë nuk dëshiron ta afrojë Ballkanin Perëndimor më afër Brukselit, atëherë të paktën duhet të jetë i përgatitur të tregojë arsyen e vërtetë, se pse rruga e negociatave është bllokuar kudo."
Më tej rama thekson se anëtarësimi në BE, ishte një ambicie e dashur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me qëllim për tu mundësuar qytetarëve përfitimet nga një treg i lirë dhe pjesëmarrja në këtë demokraci të madhe.
Për gazetën gjermane Rama ka folur edhe për çështjen e kritereve të anëtarësimit, duke theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, i kanë përmbushur të gjitha dhe më shumë kushtet e nevojshme për të filluar me të vërtetë procesin e negociatave me Brukselin.
Pak ditë më parë gjatë vizitës së ministrit të jashtëm gjerman në Tiranë, Rama është shprehur në konferencë shtypi se një nga arsyet që po e pengon procesin është konflikti i Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut dhe fakti se BE- po vlerëson edhe Tiranën dhe Shkupin në të njëjtin proces. Që prej shtatorit të vitit 2020 Bullgaria i ka kërkuar BE-së që të ndalojë negociatat me Maqedoninë e Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me historinë dhe gjuhën e vendit.
Miu hero lë punën dhe del në pension, ka dedektuar 71 mina
5 Qershor, 08:14



