Na kishte marrë malli për gjallëri, Shëngjini mes ngjyrash pushtohet nga të rinj e të reja
Këto pamje vinë nga Shëngjini, në këtë fillim qershori.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike UNUM, ka bërë bashkë mijëra të rinj nga vendi dhe e gjitha bota, duke i dhënë frymëmarrje turizmit, pas një viti të vështire si shkak i pandemisë Covid-19.
75 artistë me famë botërore, luajnë muzikë përgjatë 24 orëve në tre skena të vendosura në zonën e Ranës së Hedhun.
Të rinjtë pjesëmarrës në këtë festival nga e gjithë europa, thonë se ju kishin munguar festa të tillë, ndërsa vlerësojnë maksimalisht bukuritë e Shëngjinit dhe Shqipërisë në tërësi.
"Unë vij nga Berlini, e dua këtë vend. Më pëlqen shumë, malet, plazhi, liqenet që kam parë dhe ushqimi janë të mrekullueshëm."

"Jam nga Italia. Shokët e mi kanë ardhur nga Franca, Anglia dhe gjithandej. Mua më pëlqen shumë Shëngjini, festa që po organizon këtu janë të mrekullueshme. Shqipëria më pëlqen shumë."
"Jam nga Mali i Zi dhe e pëlqej këtë vend. Ky festival është shumë i bukur, është organizuar në mënyrë të mrekullueshme."

Organizatoret e festivalit thonë se ky event i ka tejkaluar pritshmëritë e tyre, pasi deri tani janë shitur 10 mijë bileta dhe mbi 60% e pjesëmarrësve janë të shtetas të huaj.
"Çdo gjë është jashtë pritshmërive të mia," tha përfaqësuesi i UNUM festival.
Festivali ndërkombëtar i Muzikës Elektronike UNUM, ka startuar me datën 3 dhe do të vijojë për deri të hënën.



