Ligji për Teatrin, Budina: Dosja e paraqitur në Gjykatë voluminoze, ndërtimi i kullave një lavatriçe e pastrimit të parave
Ditën e sotme, 3 qershor u zhvillua seanca e parë e Gjykatës në raport me çështjen e Teatrit Kombëtar.
Regjisori Edmond Budina i ftuar në studion e Ora News ka shpjeguar se çfarë ndodhi sot në seancën e parë. Zoti Budina tha se sot u kërkua të sillen dëshmi të personave dhe faktorëve të cilët kanë qenë pjesë e kësaj afere korruptive.
Budina: "Sot u zhvillua një seancë ku ne padyshim kërkuam të sillen dëshmi të gjithë njerëzve, faktorëve të cilët kanë marrë pjesë në këtë aferë korruptive dhe dëshmitarë, specialistë të krahut tonë. Në kërkuam dëshmitarë në mënyrë që gjykimi të jetë sa më i drejtë, sa më i thellë, sa më i saktë dhe kur të merret vendimi të merret me një lloj ndërgjegjshmëri dhe faktim të saktë. Kjo ishte kërkesa jonë kryesore."
Kërkesa u refuzua, ndërkohë që zoti Budina tha se nuk u dha asnjë shpjegim përse. Megjithatë është përgatitur një dosje voluminoze e cila përmban fakte dhe dëshmi dhe nëse do të merret një vendim pro shteti do të jetë i padrejtë, sipas Budinës.
Budina: "Nuk di të them pse nuk u pranua kërkesa jonë. Nuk pati asnjë shpjegim se përse, dhanë një lloj argumentimi por nuk është se ata i kanë faktet shumë të qarta sepse ne kemi përgatitur një dosje voluminoze me të gjitha dokumentet përkatëse. Ajo që më bëri përshtypje ishte se "ju zu në grykë" përfaqësuesve të shteti se si ata reaguan, në mënyrën si folën dhe në mënyrën se si nuk kishin argumente për të kundërshtuar. Në këtë aspekt ne themi që është bërë një punë jashtëzakonisht e mirë, një punë e thelluar dhe e detajuar. Veç Gjykatës Kushtetuese ne kemi bërë 11 kallëzime edhe në SPAK. Nëse do të merret një vendim pro shtetit për shembjen e Teatrit Kombëtare do të jetë një vendim krejtësisht i padrejtë."
Regjisori u shpreh se rilindja ka synim ndërtimin e një epoke të re duke ndërtuar fytyrën e sektit rilindas në kullat rreth e rrotull Tiranës.
Budina: "Këtu po zhduket çdo gjurmë e kulturës italiane. U zhduk stadiumi kombëtar, u zhduk Teatri, zhduken vilat e stilit italian, u zhduk Materniteti dhe mesa duket këta kanë synimin duan të ndërtojnë një epokë të re. Rrezik nesër do prishin dhe ministritë rreth sheshit për të ndërtuar kulla, për të ndërtuar fytyrën e tyre të këtij sekti rilindas mbi kullat që po ngrenë rreth e rrotull Tiranës. Është e ditur, e ka thënë gjithë Evropa që është një lavatriçe e madhe e pastrimit të parave."
Regjisori tha se dosja e paraqitur sot në Gjykatë është voluminoze dhe përmban të gjitha faktet dhe dëshmitë si dhe shkeljet e ligjit që janë bërë.
Budina: "Dokumentet janë të gjitha si është ndërtuar Teatri Kombëtar, që nga fillimi dhe deri në shkatërrimin e tij. Ka fakte direkte, video, dëshmi, kështu që ato janë atje dhe ne pretendojmë sepse e vërteta është në ato dosje, në shkeljet e ligjit që ata kanë bërë."
Me shembjen e Teatrit 1 vit më parë, nga ana e bashkisë u tha se ishte gati projekti i ri. Por ende pas një viti nuk ka filluar ndërtimi. Shkak për këtë, sipas zotit Budina janë kallëzimet në SPAK dhe në Gjykatën Kushtetuese si dhe mungesa e fondeve
Budina: "Sapo e shembën Tetarin më 17 maj të vitit të kaluar thanë se projektin e kemi gati, paratë do t'i nxjerrim nga varri. Erion Veliaj tha që për pak ditë do të fillojmë ndërtimin e Teatrit. Pse nuk ka filluar ndërtimi pas 1 viti? Pse? Sepse ne i kemi kallëzuar në SPAK, sepse Gjykata Kushtetuese po reagon. Kjo është një nga pengesat kryesore. Veç kësaj është edhe mungesa e fondeve, e cila i është frenuar pikërisht edhe nga puna që kemi bërë ne. "
Budina u shpreh se Teatri mund të ishte rikonstrukturuar në vend që të prishej.
Budina: "Ne e kishim të sigurt financimin nga Evropa për të rikonstruktuar Teatrin Kombëtar. Ky është një tjetër krim që këta kanë bërë. Nuk donin një Teatër më shumë, donin një Teatër më pak, t'ia marrin lekët nga xhepi qytetarëve, të vjedhin lekët qytetarëve të Shqipërisë dhe të rritin shifrat në 36 milionë euro, kur ai teatër mund të rikonstruktohej me shumë herë më pak.
Nuk mund të prishet një ndërtesë pa pasur projektin e ndërtesës së re. Dhe kur e ashtuquajtura bashki hoqi dorë nga ligji special tha se do shfaqim garën. Askush nuk e di se çfarë garë është shpallu dhe askush nuk e di se cili është projekti."
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku
