Hiqen abonetë e përgjithshme, trefishohet kostoja e lëvizjes së qytetarëve në Tiranë

Në muajt qershor, korrik dhe gusht, duket se aboneja e përgjithshme për linjat e transportit publik në Tiranë do të hiqet.

Ky është një projektvendim, i cili pas diskutimit dhe shqyrtimit, pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Për këtë përfaqësues të transportit publik thonë se ende nuk janë vënë në dijeni zyrtarisht, ndërkohë që në pikat e përcaktuara nuk ka dalë një dokument aboneje e përgjithshme për muajin qershor.  

Pajtimet mujore duket se do të mbeten vetëm ato të linjave të përcaktuara, shitja e të cilave ka qenë më e vogël në krahasim me të përgjithshmen.

Shumë qytetarë duhet të marrin 2 ose tre linja urbani për të shkuar në destinacion dhe mungesa e aboneve të përgjithshme do tu rëndojë xhepat.

Pajtimi mujor kushton 1600 lekë të rinj, ndërsa disa muaj më parë janë tregtuar ilegalisht edhe abone me çmim më të ulët.

Ndërkohë një biletë urbani kushton 40 lekë,  dhe për një person i cili udhëton minimalisht me dy linja, kostoja për një muaj i shkon 4800 lekë  të rinj.

Ky vendim i Këshillit Bashkiak të Tiranës pritet të merret 5 vite pasi kryetari Erion Veliaj rriti çmimin e biletës me 10 lekë, duke premtuar cilësi më të mirë në transportin publik.