Transportonin emigrantë të paligjshëm kundrejt shpërblimit, arrestohen 3 persona në Korçë

Policia e Korçës ka goditur 2 raste të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Në kuadër të këtij operacioni, policia ka vënë në pranga 3 shtetas të cilët u kapën duke transportuar 22 emigrantë të paligjshëm.

Gjithashtu u shpall në kërkim 1 shtetas tjetër i cili iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.

Në kuadër të operacionit të koduar "Perimetri" u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Elton Zaçellari, 39 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq; Erbi Tollja, 19 vjeç, banues në Tiranë; Ardit Tollja, 40 vjeç, banues në Bulqizë dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Ç., 20 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq.

Shërbimet e policisë kanë konstatuar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Grabovicë, Pogradec, shtetasin Elton Zaçellari, duke transportuar me mjetin kamion tip "Benz", 16 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga veprimet hetimore të mëtejshme dyshohet se edhe shtetasit Erbi Tollja  dhe Ardit Tollja, janë bashkëpunëtorët e 39-vjeçarit në këtë veprimtari të paligjshme, pasi u kapën me mjetin tip "Audi", duke kryer mbikëqyrjen e rrugës.

Gjithashtu në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Gështenjas, Pogradec, është konstatuar mjeti tip "Opel", me drejtues shtetasin A. Ç., 20 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, të cilit shërbimet e policisë gjatë ndjekjes, i kanë bërë me shenjë të ndalonte, por ky shtetas është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të tyre dhe ka braktisur mjetin, me 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 1200 euro secili, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga ana e policisë, po punohet për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" kryer në bashkëpunim dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".