Basha nga Dibra: Çdo arritje madhore në këto 30 vjet mban vulën e Partisë Demokratike

Kreu i PD-së, Basha ka zhvilluar një takim me demokratët e Dibrës.

Në fjalën e tij zoti Basha tha se çdo arritje madhore në këto 30 vite mban vulën e Partisë Demokratike.

Basha: "E kemi parë me sytë tanë se çfarë arrin të bëjë një shtet një shoqëri, një komb kur udhëhiqet nga ato parime që ne i sollëm në jetë qoftë në ekonomi, qoftë të infrastrukturë, qoftë në integrime nga futja në NATO, dhe heqjen e vizave, nga afrimi me Bashkimin Europian janë të gjitha arritje  të këtyre vlerave që bashkë i ndajmë ne në familjen tonë politike, vlera të demokracisë së vërtetë e parandaj mbajtën vulën tuaj, vulën e demokratëve shqiptarë, vulën e Partisë Demokratike siç do arritje tjetër madhore në këto 30-vjet."

Zoti Basha u shpreh se pas 30 vitesh vendi është në një stacion kritik. Ai tha se zgjedhjet e 25 prillit mohojnë të drejtën  themelore të qytetarëve për të zgjedhur një qeveri.

Basha: "Dhe sot pas 30 vitesh kemi arritur në  një stacion kritik për vendin.

Është në rrezik sepse themeli i këtij sistemi janë zgjedhjet dhe mbi to ngrihet gjithçka, ngrihet legjitimiteti i parlamentit, i qeverisë,  institucioneve të tjera.

Është në rrezik dyfish sepse në këto zgjedhje vendi nuk kishte asnjë institucion të vërtetë të pakapur dhe institucioni i vetëm që kishte mbetur ishte institucioni  i zgjedhjeve.

Është në rrezik sepse zgjedhje si ato të shtatorin të 2016-ës apo 2017-ës apo masakra zgjedhore e 25 prillit mohojnë të drejtën  themelore të qytetarëve të zgjedhë një qeveri, atëherë pushteti s’i takon më njerëzve, s’i takon më popullit, s’i takon më qytetarëve dhe vendi kthehet siç është kthyer këtu në Dibër e anë e mbanë vendit në peng të një pakice, të një pakicë brenda një pakice e cila nuk përfaqëson më interesat e njerëzve dhe nuk lufton më për interesat e njerëzve por kthehet në një armike publike të interesave të njerëzve."