Ftesa e Ramës për bashkëpunim, Basha: Karrem për të fshehur masakrën e 25 prillit, beteja vazhdon

Lulzim Basha kërkon sërish nga anëtarët e PD në Dibër që ta votë-besojnë me 13 qershor për të vijuar me drejtimin e partisë.

Lideri demokrat kërkoi të bindë strukturat se vetëm me atë në krye të selisë blu mund ta rrëzojnë Edi Ramën nga pushteti. 

"Le ta themi troç drejtpërdrejt nuk do Edi Rama që ne ta vazhdojmë betejën bashkë dhe nuk do që unë të jem në krye të kësaj beteje. Zgjidhja që unë propozoj dhe me të cilën dua të vazhdoj t'ju udhëheq nuk është ajo e kompromisit me të keqen, pore  betejës deri në fund për të  çuar në greminë ata që i çuam buzë greminës më 25 prill," tha Basha.

Madje Basha premton se nuk do të ketë një 2017 të dytë, pasi ai është i bindur se me dorën e shtrirë për bashkëpunimin, Edi Rama kërkon ta fusë PD në kurth politik.

"Sot kundërshtari politik, i cili në fakt është armiku i demokracisë, i Shqipërisë dhe i dibranëve po mundohet ta fshehë masakrën zgjedhore duke na shtrirë dorën për bashkëpunim, pa vija të kuqe siç thotë ai duke hedhur karremin që të ndryshojë ligjin zgjedhor, pasi ka bërë masakrën zgjedhore," tha ai.

25 prilli sipas Lulzim Bashës, është një rezultat poziziv për PD, pavarësisht se në zgjedhjet parlamentare opozita ishte në kushte të pabarta me partinë në pushtet, madje duke e krahasuar situatën me zgjedhjet e parë pas rënies së komunizimit.

"Ne u futëm në betejë pak a shumë si në '91, pa asnjë pushtet, përveç pushtetit moral. Përballë një makinerie shtetërore të bërë njësh me krimin dhe oligarkinë PD u bë më e fortë, më e madhe dhe padyshim një nga shembujt është Dibra," tha Basha.

PD me 13 qershor do të zgjedhë kryetarin e saj të ri, ku përballë Lulzim Bashën garojnë edhe 3 kandidatë të tjerë, të cilët kanë shprehur vullnetin për të drejtuar partinë më të madhe të opozitës.