“Revoltë” ndaj turqve të HEC-eve, punonjësit e Ulzës e Shkopetit: Kompania të ndalojë shkurtimet
Për të tretën ditë radhazi, punonjës, familjarë dhe sindikalistë protestuan kundër vendimit të kompanisë turke që administron HEC-et e Shkopetit e Ulzës për shkurtimin e stafit shqiptar. Në krah kishin edhe minatorët e Bulqizës e përfaqësues të sindikatave.
Nuk ndalen protestat kundër vendimit të kompanisë turke që menaxhon Hidrocentralet e Ulzës e Shkopetit për shkurtimin e numrit të punonjësve shqiptare.
Punëtorët kërkojnë anulimin e vendimit dhe rikthimin në punë të të larguarve.
Në rast të kundër paralajmërojnë përshkallëzim të reagimit.
"Nuk kemi asnjë lloj mënyrë jetese për familjet tona."
"Po bëhet presion."
"Nëse Kurum nuk reagon ne do të vazhdojmë proptestën deri në grevë urie, deri në vetëflijim."
Veç familjarëve e banorëve të zonës në ditën e tretë të protestës mbështetje kishin edhe nga minatorët e Bulqizës.
"Këta nuk po kërkojnë as rrëzimin e qeverisë, as të largojnë kompaninë, kërkojnë të drejtat e veta për bukën e gojës."
Kreu i Sindikatave të Industrisë duke përsëritur ftesën për bisedime ndaj kompanisë turke dhe tërheqjen nga politika e largimit të punëtorëve.
"Me 44 veta luftohet shumë lehtë por nuk mund të luftohet me 18 mijë veta, këtë ta ketë të qartë Kurum."
Punonjësit e Hidrocentraleve kërkojnë edhe reagimin e institucioneve shtetërore shqiptare përballë kompanisë turke që menaxhon Hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit.