Tentoi të vrasë me makinë një punëtor të firmës në Rrëshen, Gjykata lë në burg Ded Doçin
67-vjeçari Ded Doçi, që tentoi të vrasë me makinë një punëtor të firmës mirëmbajtëse të Rrugës së Kombit është lënë në burg nga Gjykata e Lezhës.
Ngjarja u shënua më 20 maj në aksin rrugor Rrëshen-Rubik ku 67 vjeçari kishte pretendime pronësie.
Në seancën gjyqësore me dyer të mbyllura, Ded Doçi ka pranuar se ka pasur konflikte mbi pronësinë e tokës ku po punohej, por ka mohuar tentativën e vrasjes së punëtorit Nazmi Halila.
Para togave të zeza ai foli për ngjarje aksidentale.
Mbi këtë argument edhe avokati kërkoi për të një masë të lehtë sigurie.
Por gjyqtari Jak Ndoka u bind nga faktet në dosjen hetimore të prokurorit Ylli Pjeternikaj dhe vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" për 67-vjeçarin me akuzën e “Vrasjes” e mbetur në tentativë.
Ded Doçi u arrestuar nga policia të enjten, pasi me vetëgjyqësi, duke pretenduar mbi pronësinë e tokës, akuzohet se tentoi të vrasë duke e përplasur me makinë punëtorin e një firme që bënte punime!
Ky i fundit mori dëmtime në disa pjesë të trupit dhe pas ndihmës mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
