Rikthehet teoria se virusi ka dalë nga laboratori i Uhanit, kundërshton Kina

Të paktën 115 mijë punonjës të kujdesit shëndetësor kanë sakrifikuar jetën nëpër botë duke u shërbyer pacientëve me kovid-19.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adanom, tha të hënën (24 maj 2021)  se ata qëndruan mes jetës e vdekjes e shpëtuan njerëz pa fund pas më shumë se një viti luftë me pandeminë.

OBSH-ja bëri thirrje për vlerësim të personelit shëndetësor dhe shpërndarje të barabartë të vaksinave, teksa e cilësoi situatën skandaloze.

Më shumë se 75 për qind e të gjitha dozave kundër Covidit u kanë shkuar vetëm 10 shteteve.

"Sot u them vendeve anëtare të avancojnë shpejt me vaksinimin e të paktën 10 për qind të popullsisë së çdo shteti brenda shtatorit, dhe që deri në dhjetor të kemi arritur objektivin e vaksinimit me të paktën 30 për qind."

"Jemi në luftë me një virus. Na duhet logjikë dhe ndërhyrje ekonomike si në kohë lufte për të rritur kapacitetin e armëve tona, vaksinat," shtoi drejtuesi i përgjithshëm i OKB-së.

OBSH-ja me programin COVAX ka ndarë deri tani mbi 70 milionë vaksina në më shumë se 125 shtete të botës, por vetëm 1 për qind e totalit të banorëve të tyre janë vaksinuar.

Më e vështirë duket gjendja në Indi, shtet që në dy javët e fundit shtoi 50 mijë viktima në listë, duke e çuar mbi 300 mijë numrin gjithsej kur përball edhe mungesa serioze me vaksinat.

Në botë janë kryer mbi 1 miliard e 600 milionë doza ndaj kovidit-19, ndërsa sëmundja u ka marrë jetën mbi 3 milionë e 400 mijë njerëzve.

Mediet amerikane raportuan në fundjavë se sëmundja mund të ketë qarkulluar në Kinë që vjeshtën e vitit 2019, pasi dyshohet se që atëkohë në laboratorin e Uhanit një pjesë e stafit ka shfaqur simptoma të virusit, duke shtyrë teorinë se virusi doli aksidentalisht nga laboratori.

"Instituti i Virologjisë i Uhanit doli me deklaratë më 23 mars të këtij viti duke sqaruar se nuk ka hasur raste infektimi me koronavirusin e ri përpara 30 dhjetorit 2020. Prandaj, lajmi se tre punonjës të Institutit kanë qenë atëherë të sëmurë, është absolutisht i pavërtetë," njoftoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës.