Një vit pa Xhorxh Floid: Një vit më vonë policia amerikane vazhdon të trajtojë dhunshëm me personat me ngjyrë
Të martën Amerika përkujton njëvjetorin e vrasjes së Xhorxh Floidit, afroamerikanit që provokoi protesta kundër dhunës policore dhe racizmit.
Familjarë e të ndjerit dhe aktivistë për të drejtat e njerëzve me ngjyrë demonstruan me këtë rast në qytetin Mineapolis, në Minesota.
Ata u mblodhën para godinës ku në prill polici Derek Shovin u shpall fajtor për vrasjen.
46-vjeçari humbi jetën 25 majin e kaluar teksa refuzoi arrestimin me dyshimin se posedonte para të falsifikuara, duke duruar për më shumë se 9 minuta peshën e oficerëve mbi trupin e vet.
"Të martën bëhet një vit. Ka qenë një vit i gjatë e i dhimbshëm pa vëllanë tim."
"Nuk e kuptoj pse përbëjnë kaq rrezik të madh për Amerikën njerëzit me ngjyrë që i ikin policisë? Ke autor masakrash por me lëkurë të bardhë të cilët policia i arreston të gjallë."
Fondacioni Përkujtimor për Xhorxh Floidin i financuar nga e motra e afroamerikanit të ndjerë tha se qëllimi i demonstratës ditën e diel ishte kërkesa për llogaridhënie dhe reformim të sistemit të drejtësisë, që institucionet të mos i diskriminojnë personat prej ngjyrës së lëkurës.
Të martën familjarët e Floidit do të priten në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Xho Bajden.
Aktivistët për të drejtat e afroamerikanëve thonë se rasti i vrasjes së 46-vjeçarit e ka sensibilizuar publikun por policia amerikane vazhdon të përballet dhunshëm me personat me ngjyrë.

