Vullkani në Kongo, të paktën 15 viktima, mbi 500 banesa të rrënuara

Vullkani Niragongo që shpërtheu të shtunën në Republikën Demokratike të Kongos ka lënë pas disa viktima dhe qindra banesa të rrënuara.

Të paktën 15 persona u raportuan të hënën se humbën jetën, 9 prej tyre gjatë një aksidenti rrugor kur po tentonin të largoheshin nga zona, 4 të tjerë duke u arratisur nga burgu dhe 2 veta u dogjën për vdekje nga lava e vullkanit që u derdh në qytetin veriperëndimor të Gomës.

Lava ndaloi në rrethina ku groposi qindra shtëpi e shkatërroi edhe godinat e larta.

UNICEF-i njoftoi se mbi 170 fëmijë mund të jenë zhdukur dhe 150 janë ndarë nga familjet.

3 mijë banorë mësohet zyrtarisht se kaluan kufirin drejt shtetit të Ruandës ndërsa të tjerë gjetën strehë në skajet më malore të qytetit.

Autoritetet thonë:"E gjithë lagjja në territorin e Niragongos u zhduk në tym. Lava zbriti dhe akoma aty ka mbetur."

"Kemi toka, njerëz dhe një popull të tërë që ka humbur gjithçka. Duhet që qeveria të ndërhyjë për të ndihmuar të mbijetuarit."

Niragongo është ndër vullkanet më aktivë dhe më të rrezikshëm në botë.

Në vitin 2002 rrjedha e shpejtë e lavës dhe gazrat vullkanikë vranë 250 persona dhe lanë pa shtëpi 120 mijë banorë të qytetit Goma.