Rrëzimi i teleferikut në Itali: Dyshohet për sigurinë e mirëmbajtjes, autoritetet vënë nën sekuestro kompaninë e linjës
Aksidenti i rëndë me teleferik në Italinë veriperëndimore, që shkaktoi të dielën 14 viktima, erdhi si pasojë e një serie faktorësh, por dyshimet janë te mosmirëmbajtja e linjës.
Tragjedia e fundjavës ndodhi në pikën më malore të provincës piemonenteze të Verbanias, në qytezën Stresa, rreth orës 12:30 të ditës.
Sipas autoriteteve, kabina e udhëtarëve ishte afër stacionit të fundit kur fillimisht u këput një prej kavove të sigurisë së kabinës, e cila bëri që mjeti të mos frenonte por të kthehej prapa me shpejtësi rreth 100 metra përpara goditjes me forcë një prej shtyllave ku lidhen kavot.
Impakti hodhi jashtë disa udhëtarë ndërsa teleferiku u shkëput e u rrokullis dhjetëra metra poshtë një zone pyjore.
Hetuesit thonë se do duhen muaj për të zbuluar shkakun e saktë të aksidentit, por ndërkohë janë sekuestruar dokumentet dhe kompania që menaxhon teleferikët e linjës Stresa-Motarone.
Stacioni i teleferikëve u inagurua në vitin 1967 dhe është përditësuar ndër vite me pajisje dhe kabina.
Kontrollet e fundit ishin kryer një vit më parë ndërkohë që deri në vitin 2029 nuk parashikohej zëvendësimi i litarëve të çelikut.
Të dielën në kabinë po udhëtonin 15 persona.
Ndër viktimat ishin një vajzë 2 vjeçe dhe një djalë 9-vjeçar, ndërsa mes pasagjerëve italianë kishte edhe të lindur në Izrael e Iran.I vetmi i mbijetuar, një 5-vjeçar, po lufton për jetën prej traumave dhe frakturave të shumta.

