Devijoi avionin për të arrestuar gazetarin aktivist për terrorizëm, BE-ja kërkon shpjegime nga Bjellorusia
Fuqitë perëndimore paralajmërojnë Bjellorusinë se do të ketë pasoja për devijimin e një avioni dhe arrestimin e aktivistit antiqeveritar.
Liderët e Bashkimit Europian dhe SHBA-ja thanë se janë tronditur nga vendimi i autoriteteve për të urdhëruar uljen në kryeqytet të një aeroplani që po udhëtonte nga Athina në Lituani.
Sipas medieve, ishte vetë presidenti, Aleksandër Lukashenko, i cili dha urdhrin për devijimin e fluturimit me pretendimin e një bombe, por kjo rezultoi e pavërtetë dhe mendohet se arsyeja e vërtetë ishte ndalimi i gazetarit dhe aktivistit 26-vjeçar, Roman Protaseviç, një prej kritikëve të qeverisë bjelloruse i cili akuzohet nga autoritetet për terrorizëm dhe nxitje trazirash.
"...Pesë minuta para zbritjes, u njoftuam nga kapiteni i avionit se kishin marrë një telefonatë nga Forca Ajrore Bjelloruse që të uleshim në aeroportin më të afërt, që ishte Minsku. Pasi u ulëm personi tentoi të negociojë me një stjuardes por e kuptoi që nuk mund të bëntë dot gjë. E nxorën nga autobusi, i panë çantën se mos kishte diçka të dyshimtë," tha një pasagjer i linjës.
BE-ja, Uashingtoni dhe NATO-ja thonë se po koordinohen për reagimin e mëtejshëm ndaj Bjellorusisë.
Kryeopozitarja bjelloruse e cila ndodhet jashtë vendit, Svetlana Tikanovskaja, tha se Bjellorusia duhet të përjashtohet nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil.
Edhe Lituania, shteti pritës i avionit të së dielës, foli ashpër me presidentin e vet.
"Kjo ngjarje duhet trajtuar si rrëmbim i një personi me forcë ushtarake. Ne kërkojmë lirimin e Roman Protaseviçit. Nëse kjo nuk ndodh duhet të ketë sanksione të rënda nga ana e BE-së. Regjimi mund të përballet edhe me masa si shpallja e pasigurt e hapësirës ajrore bjelloruse dhe përjashtimi i avionëve Belavia nga e drejta për t'u ulur në aeroportet e BE-së dhe NATO-s."
Aktivisti 26-vjeçar ka raportuar në mënyrë kritike mbi protestat kundër zgjedhjes së presidentit Lukashenko vitin e kaluar, protesta në të cilat janë arrestuar mbi 30 mijë persona.

