Vaksinat, efikase ndaj variantit indian të koronavirusit

Vaksinat "Pfizer" dhe "AstraZeneka" rezultojnë se e luftojnë në shkallë të gjerë variantin indian të koronavirusit. Me gati 90 për qind efikasitet vlerësohet "Pfizer" pas marrjes të të dyjave dozave.

Vaksinat e markave "Pfizer" dhe "AstraZeneca" po zbulohet se janë tepër efikase ndaj variantit të koronavirusit që ka pushtuar Indinë.

Shkencëtarët e agjencisë angleze të shëndetit publik thanë se efikasiteti rritet me marrjen e të dyja dozave të secilës prej vaksinave.

Në rastin e "Pfizer-it", vaksina rezultoi 88 për qind efikase kundër virusit SARS-Cov-2 kur e dyta merrej dy javë para dozës së parë.

Për "AstraZeneca-n" përqindja e mbrojtjes ishte 60 për qind ndaj variantit origjinal indian dhe 66 për qind ndaj nënllojit që po qarkullon në Angli.

Varianti indian i koronavirusit është përhapur në më shumë se 40 shtete të botës.

Autoritetet daneze që e diktuan të fundit këtë lloj virusi thonë se ai transmetohet 50 për qind më shpejt sesa nënlloji britanik.

India kërkoi në fundjavë që t'i jepet fund etiketimit të virusit si varianti indian dhe të përdoret përcaktimi i bërë nga OBSH-ja.

Shteti aziatik është goditur më fort nga pandemia në dy muajt e fundit dhe mban numrin më të lartë të të infektuarve pas SHBA-së, me gati 26 milionë raste teksa ekspertët druhen se numri gjithsej i vdekjeve mund të jetë më i lartë sesa shifra 300 mijë që raporton qeveria indiane.