Blinken: E paqartë nëse Irani do të përmbush angazhimet për të hequr sanksionet
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken tha të dielën, më 23 maj se nuk është e qartë nëse Irani do të respektojë kufizimet në programin e tij të zhvillimit bërthamor në mënyrë që të hiqen sanksionet ekonomike të SHBA.
"Irani, e di se çfarë duhet të bëjë për t'u rikthyer e për të përmbushur angazhimet bërthamore. Nuk kemi parë akoma nëse Irani është i gatshëm dhe i vendosur të marrë një vendim për të bërë atë që duhet të bëjë. Kjo është provë dhe ne nuk kemi ende një përgjigje, " tha sekretari Blinken për kanalin ABC News.
Irani ka qenë në bisedime indirekte me Shtetet e Bashkuara përmes diplomatëve nga vendet e tjera në riformimin e marrëveshjes bërthamore ndërkombëtare 2015 për të frenuar ambiciet bërthamore të Teheranit.
Irani ka thënë që programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore.
Presidenti i atëhershëm i SHBA-së Donald Trump tërhoqi SHBA nga pakti në 2018, duke vendosur sanksione të reja në sektorin e naftës, bankave dhe transportit në Teheran.
Por Presidenti i SHBA-së Joe Biden po kërkon të ribashkohet me paktin që përfshin Britaninë, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën.
Në një intervistë të veçantë, Blinken i tha CNN se SHBA dhe Irani "në të vërtetë kanë bërë përparim" në bisedimet në Vjenë dhe një raund i pestë është planifikuar në ditët në vijim.
Presidenti iranian Hassan Rouhani tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të hiqnin sanksionet tregtare, megjithëse një zyrtar i lartë iranian më vonë e kundërshtoi atë.
Diplomatët evropianë thanë se çështje të vështira mbetën në negociata.
