Raporti kriminal i Ministrisë italiane të Brendshme, Ndragheta ka numrin më të lartë të kompanive për pastrim parash
Autoritetet Italiane kanë publikuar raportin vjetor me të dhënat e analizës së kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Kriminale mbi riskun e infiltrimit të organizatave kriminale mafioze në ekonominë e vendit, nën kujdesin e Organizmit të Përhershëm të Analizës e Monitorimit, pranë Ministrisë së Brendshme.
Raporti, i cili përmbledh analizën e kryer në një vit kohor, nga muaji mars 2020, në mars 2021, ka identifikuar infiltrimet mafioze në biznese të sektorëve të ekonomisë që janë në interes të mafias italiane, si ai i prodhimit dhe i tregtimit të materialeve shëndetësore, të domosdoshme në kuadrin emergjencës kombëtare pandemike.
Puna e ekspertëve italianë të antikrimit ekonomik, ka renditur në këtë analizë vjetore, dhe suksesin e operacioneve "Basso profilo" e "Cupola", të cilët kanë zbardhur aktivitetin kriminal me afera biznesi të klaneve mafioze italiane, ku janë përfshirë dhe shqiptarë.
Periudha kohore e marrë në analizë, ka regjistruar një rritje me 9,7% të numrit të kompanive të goditura nga antimafia për lidhje me grupet mafioze, e një shtim me 47% të numrit të kompanive që kanë ndryshuar kuotat e pronësisë, pronarin, selinë e biznesit, kanë transferuar kompaninë, apo kanë ndryshuar natyrën juridike o kapitalin social të tyre.
Sipas ekspertëve italianë, këto instrumente përdoren nga organizatat mafioze, për të ndotur shtresën e ekonomisë së ligjshme, e rritja e tyre me 47 % në krahasim me një vit më parë, është një e dhënë preokupuese.
Ndërsa shtimi i urdhrave antimafia për ndalimin e ushtrimit të biznesit ndaj shumë kompanive, është një sinjal pozitiv i shtetit, për të bllokuar në kohë aktivitetin e tyre mafioz.
Në veçanti, nga marsi 2020 në mars 2021, shumica e kompanive që kanë ndryshuar kuotat, pronësinë apo kanë transferuar kapitalin o selinë e tyre, i përket sektorit imobiliar dhe tregtisë me pakicë e shumicë.
Ndërsa ndaj atyre që është lëshuar urdhri antimafia për bllokimin e aktivitetit, numri më i madh i përket bizneseve në sektorin e ndërtimit.
Përqindja më e lartë e këtyre kompanive të kapura nga mafia, janë regjistruar në territorin e rajoneve Calabria, Sicilia, Lombardia, Campagna, Puglia e Emilia Romagna.
Falë dëshmive e rrëfimeve të ish anëtarëve të grupeve kriminale, që kanë vendosur të bashkëpunojnë me drejtësinë italiane, është dokumentuar se si gjithnjë e më shpesh, organizatat e grupet mafioze përdorin sistemin e faturimeve false për të pastruar paratë e pista të përfituara nga aktivitetet e paligjshme, për të garantuar dhe përfitime fiskale.
Hetimet e Policisë Kriminale Italiane kanë zbardhur se mafia kalabreze Ndrangheta ka numrin më të lartë të kompanive të vënë nën zotërim gjatë periudhës së marsit 2020- shkurt 2021.
Janë identifikuar 267 kompani të vënë në duart e Ndranghetas, 105 biznese në zotërim të Camorras, 70 nga Cosa Nostra, etj.
Në këtë periudhë kohore një vjeçare, ndër sukseset e renditura nga Antimafia e Organizmi i Përhershëm i Monitorimit e Analizës mbi riskun e infiltrimit mafioz në Ekonominë e vendit, Ministria e Brendshme Italiane, ka renditur dhe operacionin "Basso profilo" i cili zbuloj lidhjet e investimet mafioze të Ndranghetas mes Italisë dhe Shqipërisë.
Raporti i Ministrisë italiane nënvizon se operacioni "Basso profilo" zbardhi lidhjet e drejtpërdrejta të Ndranghetas me biznesin e politikën.
I akuzuari kryesor (Antonio Gallo me biznes dhe në Shqipëri), sipërmarrës kalabrez, kishte lidhje sistematike e të vazhdueshme me krerët e klaneve të mafias Ndrangheta, si dhe menaxhonte të ardhurat e tyre.
Gjithashtu, hetimet zbardhën se ai i kishte premtuar vota elektorale eksponentëve të politikës lokale, në shkëmbim të favoreve që do i sillnin përfitime klaneve mafioze.
"Ndër aktivitetet e shumta të paligjshme, shkruan raporti italian, ishte sistemi i mashtrimit financiar, i aktivizuar nga klanet mafioze për të përfituar tendera publike, si dhe furnizimi i sistemit shëndetësor, me pajisje mbrojtëse si maska, doreza, këmisha, kasko."
"E për këtë qëllim, shkruajnë ekspertët italianë, ishin krijuar kompani fiktive, të menaxhuara nga italianë e shqiptarë, të cilët lëshonin fatura e operacione financiare false, me qëllim shfaqjen e një xhiro të paekzitueshme biznesi."
Ndër aktivitetet e paligjshme të sipërmarrësit italian, Antonio Gallo, ishte menaxhimi në nivel monopolist i furnizimit të produkteve anti aksidenti në punë."
Të arrestuarit e personat e vënë nën hetim, nga operacioni "Basso Profilo", akuzohen për aktivitetet e pjesëmarrje në aktivitet mafioz, mashtrim fiskal në dëm të shtetit, korrupsion, riciklim e autoriciklim parash, nxjerrje të sekretit shtetëror, krim tatimor e të gjitha nën masën rënduese të lidhjes ma mafian kalabreze Ndrangheta.
Një nga personat e vënë nën arrest shtëpiak në këtë operacion, ishte në lidhje të drejtpërdrejtë me Komisarin e Jashtëzakonshëm për përballimin e krizës së emergjencës pandemike, e me detyrë pikërisht shpërndarjen e instrumenteve mbrojtjes personale shëndetësore, të vaksinave antiCovid e në menaxhimin e raporteve me furnizuesit.
Po ashtu në këtë raport, është renditur një tjetër operacion që ka zbardhur lidhjet e elementëve kriminalë shqiptarë në shërbim të mafias italiane.
Ky është operacioni i koduar "Kupola", i ekzekutuar në tetor të 2020 nga Policia e Tarantos e që zbardhi trafikun e drogës kryesisht heroinë e marijuanë me referues trafikanë shqiptarë, për llogari të një grupi kriminal që vepronte për interes të mafias puglieze Sarcra Corona Unita, e me investime në sektorin e mbetjeve urbane e në lojërat e fatit.



