Skandal / Gjenden trupat e 24 personave të varrosur në shtëpinë e një ish-polici, dyshohet për vrasje seriale
Eshtrat e të paktën 24 personave janë zbuluar në shtëpinë e një ish-oficeri policie në El Salvador.
Shumica e tyre mendohet të jenë gra ose vajza, thonë zyrtarët dhe zhvarrosja e të gjithë trupave mund të zgjasë edhe një muaj.
Policia beson se kjo ngjarje ka të bëjë me një rrjet vrasjesh të fshehta që ka vepruar gjatë një dekade.
El Salvador ka një nga nivelet më të larta të vrajeve në Amerikën Latine.
Hugo Ernesto Osorio Chávez, 51 vjeç, u arrestua në Chalchuapa këtë muaj për vrasjen e një gruaje 57-vjeçare dhe vajzës së saj 26-vjeçare. Ish-oficeri, i cili ishte hetuar më parë për krime seksuale, pranoi vrasjen e çiftit.
Por kur ekipet mjeko-ligjore kontrolluan shtëpinë e tij rreth 48 km në veri të kryeqytetit San Salvador, ata gjetën të paktën shtatë gropa që përmbajnë trupa, disa prej të cilave mund të ishin varrosur deri dy vjet më parë.
Të paktën 10 persona po përballen me akuza.
Të dyshuarit përfshijnë ish-policë, ish-ushtarë dhe kontrabandistë njerëzish, tha Mauricio Arriaza Chicas, drejtori i policisë civile kombëtare të Salvadorit, raporton gazeta La Prensa.
Ai pretendoi se Osorio Chavez mund të ketë vrarë njerëz për një dekadë.
Prokurorët thonë se viktimat mund të përfshijnë vajza të moshës nëntë, shtatë dhe dy vjeç, raporton AP.
As i dyshuari dhe as avokati i tij nuk dhanë menjëherë komente, thotë agjencia e lajmeve Reuters.
El Salvador regjistroi 70 vrasje të grave vitin e kaluar. Kishte 111 vrasje në 2019, treguan të dhënat e policisë.
Dhuna ndaj grave në Amerikën Latine, përfshirë edhe vrasjet, u përkeqësua gjatë pandemisë së koronavirusit, sipas grupeve të ndihmës.
