Hamasi tregon 'vijat e kuqe' për Izraelin: Beteja mbaroi por ne do ta mbajmë gishtin në këmbëz
Pak orë pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim me ndërmjetësimin e Egjiptit, një zyrtar i lartë i Hamasit deklaroi se Izraeli duhet të ndalojë ato që ai i quan shkeljet e tij në Jeruzalem dhe të paguajë kompensim për dëmin e shkaktuar nga bombardimet e 11 ditëve të fundit në Rripin e Gazë.
"Është e vërtetë që beteja ka mbaruar sot, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe njerëzit duhet ta dinë se ne po mbajmë gishtin në këmbëz dhe se do të rrisim potencialin për rezistencë", tha Ezat El Rasik, një anëtar i Byrosë Politike të Hamasit duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters.
Lëvizja islamike gjithashtu kërkon që Xhamia Al-Aqsa në Jeruzalem të mbrohet dhe që dëbimi i detyruar i palestinezëve nga shtëpitë e tyre në Jeruzalemin Lindor të mos vazhdojë, gjë që të cilën Rasik e përshkroi si një "vijë të kuqe".
Armëpushimi hyri në fuqi në orën 2 të mëngjesit të së premtes, sipas kohës lokale. Fill pas kësaj jeta u kthye në rrugët e Gazës.
Njerëzit dolën nga shtëpitë e tyre, disa prej tyre duke kënduar dhe fishkëllyer nga ballkonet e shtëpive. Shumë njerëz qëlluan me armë në ajër, duke festuar armëpushimin.
Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thonë se që nga fillimi i luftimeve më 10 maj, 232 palestinezë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, janë vrarë dhe më shumë se 1,900 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore të ushtrisë izraelite. Izraeli ka thënë se ka vrarë të paktën 160 luftëtarë në Gaza.
Sipas zyrtarëve izraelitë, 12 vetë kanë humbur jetën si rezultat i sulmeve me raketa nga Hamasi dhe qindra të tjerë janë plagosur.

