Shifrat: 130 deri në 150 fëmijë shkojnë në urgjencë çdo javë, ja arsyet
Në 24 orë në urgjencën e pediatrisë paraqiten 130-150 fëmijë gjatë ditëve të javës, ndërsa në fundjavë ky numër shkon deri në 230.
Alergjitë dhe virozat e stinës janë ndër shkaqet që sjellin këtë situatë.
Me rritjen e temperaturave fëmijët paraqesin probleme me lëkurën, e më së shumti ajo që njihet si rrjebulla.
"Ajo është një sëmundje që ka bazë alergjike dhe kryesisht në periudhën e pranverës fillon dhe acarohet. Në përgjithësi fëmijët janë të shoqëruar dhe me bronkiolit azmatik që shkaktohet nga polenët e luleve," thotë mjekja.
Mjekja dermatologe, Loreta Kuneshka sqaron se myku i kokës është një tjetër problem te të vegjit, e sidomos në rastet që paraqiten me vonesë te mjeku.
"Gjithashtu janë të rritura shumë edhe mykozat, por sidomos myku i kokës, domethënë vijnë shumë pacientë, më shumë dhe nga rrethet, ndoshta edhe ngaqë nuk kanë pasur mundësi për shkak të Covid të paraqiteshin herët te mjkeu dhe vijnë në forma goxha të agravuara të mykut të kokës," thotë Kuneshka.
Problemet mykoze dhe bakteriale janë të tjera shqetësime pediatrike.
Këshilla e mjekes është hidratimi i trupit dhe përdorimi i kremrave për mbrojtjen nga dielli.
