Pacientët që e kanë kaluar Covid po i nënshtrohen terapive termale në minierën e kripës

Shkencëtarët polakë po studiojnë ish-pacientët me Covid-19 për pasojat që sëmundja ka lënë te ta. Vërehet se çdo variant i ri i koronavirusit po i shton simptomat, që tashmë nuk lidhen thjesht me frymëmarrjen.

Polonia konsiderohet vend lider për studimin dhe rehabilitimin e personave me simptoma të Covid-19.

Në jug të vendit, në një minierë kripe 130 metra nën dhe, polakë të moshave të mesme po i ushtrohen terapive dhe banjave termale, nën monitorimin e doktorëve.

Në një hapësirë tjetër, shkencëtarët testojnë pasojat e sëmundjes infektive te personat.

Simptomat fizike dhe psikologjike që ata shfaqin sa vijnë e po rriten.

Mariusz Grochowski: Nga dokumentet që kemi marrë nga Uhani, na u tregua se simptomat e kovidit-19 ishin thjesht pulmonare. Në fakt, vetëm këtë javë kemi identifikuar 50 simptoma dhe numri i tyre po rritet me shtimin e varianteve të koronavirusit.

Jan Szczegielniak: Veç simptomave pulmonare kanë edhe dhimbje muskujsh e kyçesh, kanë probleme me balancimin dhe koordinimin e trupit, humbje të kujtesës dhe përqendrimit, dhe shfaqin stres e depresion.

Miniera polake e kripës është nga më të vjetrat në botë, me shpella që prej shekullit të 13-të të cilat mbrohen nga UNESCO-ja.

Miniera shërben si pikë turistike por tani edhe si rezort terapeutik prej 200 vitesh, për pacientët që kanë probleme astme dhe frymëmarrjeje.

Magdalena Ramatowska: Mbi të gjitha, ajri është i pastër, pa alergjenë. Ka lagështi të lartë dhe ambienti është plot me grimca kripore që zbutin acarimin e traktit të frymëmarrjes dhe shpërndarjen e baktereve.

Lucyna Szulc: Kur dola nga spitali, me zor merrja frymë sepse qëndrova me respirator për 20 ditë. Tani ndjehem mirë dhe fizikisht po përmirësohem.

Spitalet publike të Polonisë po u ofrojnë tri javë terapi falas në minierën e kripës pacientëve që e kanë kaluar më rëndë Covidin-19.

Megjithëse personat thonë se vërejnë ndryshime të dukshme pas vizitave, komuniteti shkencor nuk e ka provuar përfundimisht efikasitetin e kësaj terapie që po përhapet në Europën Qendrore dhe Lindore.