Studim i ri / Tamponi grek për koronavirusin jep rezultat brenda 3 minutave, do të kushtojë më pak se 6 euro

Studiuesit në Universitetin Bujqësor të Athinës dhe Laboratorin e Teknologjisë së Qelizave kanë zbuluar se koronavirusi mund të identifikohet menjëherë pas infektimit të një individi.
Kjo është një metodë ideale që mund të praktikohet në aeroporte, porte, dogana kufitare tokësore dhe kudo ku nevojiten rezultate të menjëhershme të testit.

Sipas studiuesve, testimi bëhet nëpërmjet një telefoni celular apo tableti dhe aplikacionit që kanë krijuar hulumtuesit për të testuar, nëse jemi apo jo të infektuar nga koronavirusi. Siç thotë studiuesja e laboratorit Sofia Mavrikou për gazetën greke "NEA", testi bëhet me një kunjë veshësh për të marrë mostër ose në gojë ose në hundë. Rezultatet transferohen në aplikacionin e internetit ku menjëherë duket nëse personi është apo jo i infektuar me Covid-19.

Por sa i besueshëm është ky testim?

Drejtori i laboratorit, Spyros Kintzios, shprehet se "rezultatet e provave klinike na tregojnë se metoda është shumë e besueshme dhe përdoret jo vetëm për viruse të zakonshëm si gripi por edhe për shumë sëmundje të tjera të rrezikshme infektive. Një nga kufizimet më të rëndësishme të mjeteve të disponueshme diagnostikuese për zbulimin e koronavirusit është pamundësia për të zbuluar infeksionin nga që në ditët e para. Kjo është për shkak të ndjeshmërisë përgjithësisht të ulët të shumicës dërrmuese të testeve të antigjenit gjithashtu dhe self-testeve (testet e shpejta), të cilat janë të disponueshme në treg."

Kjo metodë është testuar në tre prova klinike, të kryera nga ekipe kërkimore dhe ka rezultuar me sukses. Rezultatet e njërës prej provave u botuan në revistën "Journal of Virological Methods", duke konfirmuar efektivitetin e biosensorit qelizor që u zhvillua.
Sipas studiuesve, duke e krahasuar këtë metodë me metodat tradicionale molekulare, teknologjia e biosensorit qelizor ka treguar një saktësi prej 93% dhe 97.8% në diagnostigikimin e virusit.

Studiuesit thonë se sapo të gjejnë fondet e nevojshme monetare, është e mundur që testi të kalojë në të gjitha provat klinike dhe të prodhohet masivisht për Greqinë por edhe për shtete të tjera dhe pritet të kushtojë më pak se 6 euro.