OBSH: Varianti indian i virusit është një shqetësim global

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar variantin indian të koronavirusit një “shqetësim global” që duhet kufizuar.

Mutacioni "B.1.617" i virusit është përhapur tashmë në mbi 30 shtete, duke përbërë rrezik sa varianti anglez, afrikanojugor apo brazilian.

Ai u identifikua në Indi në muajin dhjetor dhe mendohet të ketë qarkulluar që në tetor.

"Ka informacione që sugjerojnë se transmetohet më lehtë dhe neutralizohet më me vështirësi, prandaj po e klasifikojmë si variant shqetësues të nivelit global. Por nuk ka prova që diagnozat, terapitë apo vaksinat nuk funksionojnë ndaj tij."

Në Indi po shpërthejnë rastet me kovid-19, me gati 370 mijë të infektuar të rinj dhe mbi 3,700 viktima vetëm ditën e hënë.

Situata epidemiologjike i ka rënduar problemet me furnizimin me oksigjen të spitaleve.

Problematik paraqitet edhe programi i vaksinimit.

"Aktualisht rreth 10 për qind e banorëve kanë marrë njërën dozë, dhe vetëm 2 për qind, të dyja dozat. Fatmirësisht shumë punonjës të vijës së parë dhe ata shëndetësorë janë vksinuar, por do të duhen muaj apo edhe vite për të mbuluar 70, 80 për qind të popullatës."

Ndërkohë me optimizëm po priten rezultatet e testeve të vaksinës indiane "Covaxin", e cila mësohet se është efikase në neutralizimin e variantin indian të koronavirusit.