Mos e bleni këtë ilaç nëse shitet në Instagram

 

Shërbimi Shëndetësor Kombëtar, në Angli, i ka kërkuar Instagram-it të bllokojë llogaritë që shesin një ilaç të palicensuar dhe të rrezikshëm, që i drejtohet kryesisht grave dhe vajzave të reja. Bëhet fjalë për një subsatncë të quajtur, apetaminë.

Shitja e apetaminës është e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, por sipas BBC, substanca vazhdon të jetë në dispozicion në dyqane dhe në internet. Drejtuesit e Shërbimi Shëndetësor (NHS), thonë se janë të shqetësuar për promovimin e produktit dhe ndikimin që ai ka në shëndetin fizik dhe mendor.

Instagram thotë se shitja e barnave jo-mjekësore është "rreptësisht kundër politikave tona". Apetamina nuk është e licencuar në Mbretërinë e Bashkuar, që do të thotë se rregullatori nuk ka kryer teste për të garantuar se apetamina plotëson standardet e rrepta të sigurisë. Mjekët thonë se keqpërdorimi i stimuluesit të oreksit mund të shkaktojë lodhje të rëndë, verdhëz madje edhe dëmtim të mëlçisë.

Sidoqoftë, shurupi promovohet rregullisht nga influencuesit në rrjetet sociale si një mënyrë e shpejtë për të fituar peshë dhe për të zhvilluar një trup, si të Kim Kardashian dhe Cardi B. Instagram thotë se ka bllokuar llogaritë që shesin dhe reklamojnë apetaminën. Sidoqoftë, NHS England, thotë se janë gjetur dhjetëra profile aktive. Edhe kur kjo u denoncua, "asnjë veprim nuk u ndërmor".

"Këtu ne po investojmë më shumë se kurrë në shëndetin mendor dhe fizik. Gjigandët mediatikë, si Instagram duhet të kontribuojnë më shumë në këtë fushatë", shprehet zëdhënësi i Shërbimi Shëndetësor.