Ilaçet anti-covid pa recetë shkaktojnë efekte anësore

Shpesh herë qytetarët e prekur nga Covid shmangin konsultimin me mjekun dhe kurohen duke ndjekur këshillat e atyre që kanë kaluar më parë infeksionin.

 Kjo bën që mjekimet të mos merren ashtu siç duhet dhe mund të dëmtojnë shëndetin.

Ilaçet kryesore të paketës bazë anticovid, sipas mjekëve nëse përdoren pa kriter mund të shkaktojë edhe fatalitete.

Ilaçet anti-covid pa recetë shkaktojnë efekte anësore
Në foto mjeku kardiolog, Andri Çabeli

Kardiologu Andri Çabeli përmend ilaçet e hollimit të gjakut të cilat mund të shkaktojnë hemoragji nëse merren pa rekomandimin e mjekut.

"Shpesh herë ato mund të shkaktojnë probleme hemoragjike që mund të jenë nga të lehta dhe jo jetë-kërcënuese, deri në fenomene hemoragjike jetë-kërcënuese. Kjo mund të sjellë pasoja më tërënda dhe se vetë sëmundja, prandaj është shumë e rëndësishme ilaçet të merren vetëm në ato rrethana kur janë të nevojshme," thotë Çabeli.

Por bluzat e bardha thonë se edhe antibiotikët apo kortizonët sjellin efekte anësore kur përdoren jashtë kontrollit nga mjeku.

"Në rastet në format e lehta të sëmundjes të pa-komplikuara padiskutim që përdorimi i antibiotikëve jo vetëm që nuk e ndihmon sëmundejen, por mund të rrezikojë mbivendosje të tjera të infeksioneve në të ardhmen për shkak të rezistencës që mund të lindë ndaj këtyre antibiotikëve. Pacientët diabetikë në terapi me koritizonë kanë rritje të ndjeshme të glukozës, të sheqerit në gjak," shprehet Çabeli.

Kryerja e vizitave dhe kontrolleve si dhe konsultat me mjekët janë e vetmja rrugë për të mos gabuar me përdorimin e medikamenteve.