Vaksina kineze/ EMA analizon Sinovac, OBSH vendos në fundjavë për autorizimin
Agjencia Europiane e Barnave ka nisur analizën për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës kineze, "Sinovac", e cila përdoret edhe në Shqipëri.
Nëse miratohet për përdorim ajo do i shtohet listës së vaksinave perëndimore që tani njihen nga Bashkimi Europian dhe që pritet të jenë një nga kërkesat për të lëvizur në vendet anëtare.
"Do të vlerësojmë nëse të mirat që ka vaksina janë më të mëdha sesa rreziqet. Procedura do të jetë më e shkurtër se normalisht për shkak se e kemi marrë edhe më parë në studim," njoftoi autoriteti europian për medikamentet.
Vaksina "Sinovac" është miratuar për përdorim në Kinë, Indonezi, në Brazil dhe në Turqi.
Në shtetet ku është testuar, efikasiteti i saj ka rezultuar mes 51 dhe 82 për qind.
Vaksina e njohur edhe me markën "CoronoVac", përmban një variant joaktiv të virusit SARS-CoV-2 që e ndihmon sistemin imunitar të njeriut të krijojë antitrupa për ta luftuar në të ardhmen.
Mbi 200 milionë doza janë shpërndarë në botë dhe kapaciteti vjetor është për 2 miliardë doza.
"Sinovac" është vaksina e katërt që shqyrtohet për përdorim nga Agjencia Europiane e Barnave.
Tri të tjerat janë vaksina ruse "Sputnik V", gjermania "CureVac" dhe amerikania, "Novavax".
