Kosova merr 3 mijë e 510 vaksina Pfizer shtesë nga Bashkimi Europian
Në kuadër të fushatës së vaksinimit anti Covid, ditën e sotme në Kosovë kanë mbërritur 3510 vaksina Pfizer.
Lajmin e ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, në një deklaratë për mediat, ku ka bërë me dije se vaksinat kanë ardhur nga Bashkimi Evropian.
“Divizioni i Komunikimit me Publikun ju konfirmon se Ministria e Shëndetësisë ka pranuar mbrëmë kontigjentin e radhës prej 3510 vaksinave të Pfizer, pjesë e asistencës së BE-së për Kosovën në sigurimin e vaksinave kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ndërkohë një ditë më parë ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se deri të hënën vaksinën anti COVID e kanë marrë 46.097 qytetarë.
Vaksinimi në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Deri më tani në rajon janë vaksinuar 46.097 qytetarë mbi moshën 65 vjeçare.

