Kina po ndërton Titanikun

Për të gjithë ata që gjithmonë kanë menduar se si do të kishte qenë të ishe pasagjer në Titanik, këtë përvojë do t’jua ofrojë shumë shpejt një park lojërash në Kinë.

Një kopje e anijes të mbytur  është në proces ndërtimi në Daying County në provincën Sichuan. E quajtur “Titaniku që s’fundoset”, anija është saktësisht e njëjtë me atë origjinale , 269 metra e gjatë dhe 28 metra e gjerë.

Parku i quajtur “Romandisea”, do të ketë të njëjtat komoditete me Titanikun, duke përfshirë sallat e banketeve, teatrot, kuvertat e vëzhgimit dhe një pishinë. Vizitorët mund të paguajnë për të kaluar natën në bordin e anijes, e cila do të vendoset përgjithmonë në një rezervuar në lumin Qijiang.

Punimet për ndërtimin e anijes nisën në vitin 2016 dhe kostoja shkon rreth 153.5 milionë dollarë. Megjithatë data e përurimit ende nuk është njoftuar.

Anija e Kinës nuk është kopja e vetme e propozuar e Titanikut origjinal. Në vitin 2018, kompania australiane “Blue Star Line” njoftoi se puna ishte duke rifilluar në Titanic II pas një vonese të gjatë.

Udhëtimi i parë ishte planifikuar të zhvillohej në 2022, megjithatë faqja e internetit e kompanisë nuk është azhurnuar që nga viti 2018 dhe nuk ka asnjë të dhënë për fatin e saj.

Titaniku origjinal nisi në udhëtimin e tij të parë nga Southampton, Angli, për në Neë York më 10 Prill 1912. Në atë kohë, ajo ishte anija më e madhe e pasagjerëve në det.

Më 14 Prill, rreth mesnatës, ajo goditi një ajsberg dhe u mbyt në më pak se tre orë, duke shkaktuar të paktën 1500 viktima.