"Organizata Trump" nën hetim penal për evazion fiskal, "shtrëngohet laku" për familjen e ish-presidentit
"Organizata Trump" që zotërohet nga ish-presidenti amerikan, Donald Tramp, është bërë subjekt i një hetimi penal për shmangien e taksave dhe për përfitime të tjera të padrejta. Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë rrezikon ndjekjen penale katër muaj pas lënies së pushtetit.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, rrezikon të procedohet penalisht për evazion fiskal.
Zyra e prokurorit të përgjitshëm të Nju-Jorkut njoftoi se hetimet për Organizatën që zotëron ish-presidenti, kanë hyrë në një rrjedhë tjetër, më të rrezikshme për familjen Tramp.
Që prej vitit 2018, autoritetet po shqyrtojnë të dhënat se Organizata ka falsifikuar vlerën reale të pronave që menaxhon dhe vlerën e borxheve në banka në mënyrë që të lehtësohej nga taksat dhe për përfitime të tjera ekonomike.
Këto pretendime i ka konfirmuar edhe ish-avokati i 74-vjeçarit, Majkëll Kohen, i cili vetë prej një viti qëndron nën arrest shtëpiak.
"Kemi informuar Organizatën Tramp se hetimet tona nuk janë më të natyrës thjesht civile. Tashmë Organizata po hetohet në mënyrë aktive si subjekt të veprës penale," njoftoi zyra e kryeprokurorit të Nju-Jorkut.
Hetimet nisën kur ish-presidenti Tramp ishte ende në Shtëpinë e Bardhë, pas sinjalizimeve në gazetën "The New-York Times".
Organizata Trump përfshin rreth 500 biznese, nga të cilat gjysma në mbiemrin e ish-kryeshtetarit amerikan, dhe qarkullon mbi 650 milionë dollarë, sipas raportimit të fundit.

