Nishani në Këshillin Kombëtar: Jemi në pikën më kritike pas 97’, PD në moment dëshpërimi
Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani gjatë mbledhjes së sotme e ka cilësuar situatën aktuale në parti si më kritiken pas vitit 97’.
Në fjalën e tij, Nishani është shprehur se Partia Demokratike nuk mundi të fitojë përballë regjimi gangsterësh. Ai shton se zgjedhjet e 25 prillit ishin masakër elektorale, por nga ana tjetër sipas tij i hidhur është dhe dështimi i PD-së.
"Jemi në pikën më kritike pas 97. PD është në moment dëshpërimi si asnjëherë më parë. Ne nuk mundëm të fitojmë përballë një regjimi gangsterësh. Ka ndodhur masakër elektorale por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës. Gjysma tjetër po aq e hidhur është dështimi ynë. Gjysmë e vërteta nuk është e vërtetë. Nuk mund të dalim në konkluzion pa e bërë analizën baza e partisë.
Kush nuk e njeh situatën në bazë, nuk e njeh realitetin dhe nuk mund të gjykojë punën e demokratëve. Ne nuk i ndryshojmë dot realitetin. Shqiptarët nuk erdhën të na besonin ndaj edhe votuan vetëm 46%. Kur populli do ndryshim, lëshohet si dallgë në qendrat e votimit për ndryshim. Sot kemi vota më shumë se në 2017 po më pak se në 2013 kur disa persona mbajtën përgjegjësi dhe dhanë dorëheqjen. Ne mbetëm përsëri parti e dytë me diferencë të madhe. Po e nisim legjislaturën e re aty ku e lamë në 2019."

