'Defender 2021'/ Mbërrijnë 267 ushtarë amerikanë në Rinas, priten nga Yuri Kim: Stërvitja sjell rritje ekonomike

Ditën e sotme në Rinas kanë mburritur 267 ushtarë amerikanë të cilët do të marrin pjesë në stërvitjen ‘Defender 21’.

Trupat ushtarake janë pritur nga vetë ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim.

Ndërkohë Kim në një deklaratë për mediat është shprehur se stërvitja kishte impakt edhe në ekonominë e vendit tonë. Më tej thotë se SHBA-ja ka shpenzuar 35 milion dollarë që nga nisja e stërvitjes më 26 prill

“Është e gëzueshme. Trupat e USA po vijnë në Shqipëri. Ky është ushtrimi më i madh amerikan në Ballkan. Është e rëndësishme, historike. Ky ushtrim sjell punësim dhe lëvizje në ekonomi. SHBA kanë shpenzuar 35 milion dollarë, nga punësimi i shoferëve, kuzhinerëve etj. Është “big deal”. mendoj që në fund të gjithë do të kenë përjetuar mikpritjen shqiptare. Faleminderit,”-tha ambasadorja.

Po ashtu, në një deklaratë për mediat, në lidhje me mbërritjen e ushtarëve amerikanë,  Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Bajram Begaj u shpreh se kjo është një ngjarje e madhe që po ndodh në Shqipëri, pasi po ndodh për herë të parë. 

"Është një stërvitje historike një stërvitje që për herë të parë ndodh në Shqipëri sot pritëm 267 trupa amerikanë të cilët janë pjesë e kësaj stërvitje të madhe. Është një stërvitje komplekse që përfshin në fushën ajrore, tokësore dhe detare. Sot pjesë e ekipit të forcës tokësore që do të bëhet në Bizë është edhe pjesa e ushtarëve që mbërritën sot që do të zhvillohet në Bizë. Është një ngjarje historike, jo vetëm për ushtrinë por edhe për vendin tonë."

Stërvitje ‘Defender 21’, ka nisur më 26 prill dhe do të vazhdojë deri më 20 qershor. Pjesë e stërvitjes do të jenë 28 mijë trupa ushtarakë.

'Defender 2021'/ Mbërrijnë 267 ushtarë amerikanë