Inter me sponsor të ri, Lautaro drejt rinovimit deri në 2024
Zv/presidenti Javier Zanetti gjatë një interviste për mediat argjentinase ku foli për titullin e arkivuar nga Interi, zbuloi se Suning në Janar ishte pranë shitjes së aksioneve të klubit për shkak të një krize të rëndë që goditi gjigandin kinez. Tani, 5 muaj më vonë dhe me titullin e fituar, presidenti Steven Zhang ka siguruar një hua 250 mln Euro nga një fond investimesh dhe ndërkohë është pranë akordit për një sponsor të ri të përgjithshëm për ekipin.
Me Pirellin që do të mbyllë bashkëpunimin historik shumë-vjeçar, tani flitet për Lenovo si sponsor të ri të fanellave për një akord të paktën prej 25 mln euro në vit teksa Pirelli do të mbetet por do të jetë një mbështetës dytësor në planin financiar.
Me përmirësimin e situatës financiare të klubit, tani drejtuesit do të vijojnë më të qetë me programimin e të ardhmes ku do të bëhen disa rinovime të rëndësishme. I pari do të jetë ai i Lautaro Martinez, një prej protagonistëve të sezonit ku Interi u shpall kampion teksa kontrata e sulmuesit argjentinas skadon në 2023.
“El Toro” ka ndryshuar agjentët dhe në fakt kjo ka sjellë rinisjen e bisedimeve nga e para dhe nuk flitet për një bllokim të proçesit pasi shifrat janë të njëjta me ato të negociuara në janar dhe që më pas u bllokuan nga kriza financiare. Sipas ofertës së klubit, Lautaro do të firmosë deri në 2024 dhe do të përfitojë 4.5 mln euro neto në vit plus bonuset që do të marrë në varësi të rezultateve dhe paraqitjeve personale.
Me këtë kontratë që pritet ta firmosë, Lautaro i jep përfundimisht fund zërave të merkatos dhe tentativave të Barcelonës për ta afruar në “Camp Nou”.
