Brdariç: Nuk kemi çfarë humbim, luajmë gjithçka deri në fund
Java e 32-të e Kategorisë Superiore do të hapet me duelin Vllaznia-Kukësi e cila do të luhet në orën 18:00 të Premten dhe do të rikthejë edhe ndeshjet me drita në Shqipëri pas shumë javësh mungesë. Trajneri Brdariç shpjegon se Vllaznia do të bëjë më të mirën ndaj verilindorëve të cilët sipas tij janë një ekip shumë i mirë.
“E njohim Kukësin, kemi luajtur me të edhe më parë dhe i kemi studiuar. Kanë shumë lojtarë të mirë, me një trajner me eksperiencë të madhe. Janë në mes të tabelës, por nuk rrezikojnë rënien. Ata janë të fortë dhe kanë cilësi. Duhet të luajmë fort, të tentojmë të shënojmë sa më parë për të dalë faqebardhë”.
Brdariç ka besim te skuadra e tij dhe paralajmëron se Vllaznia nuk ka çfarë të humbasë në 5 ndeshjet e fundit ndaj do të bëjë më të mirën për të marrë maksimumin nga takimet e fundit.
“Ne jemi një ekip që duam të fitojmë dhe kemi investuar shumë. Duhet t’i marrim ndeshjet seriozisht dhe lojtarët të kënaqen në vazhdim dhe të punojnë fort për të ngritur klubin. Nuk kemi çfarë humbim, luajmë gjithçka për gjithçka në ndeshjet e mbetura. “Jemi optimistë, pasi gëzojmë një formë të mirë sportive. Kundër Kukësit është një ndeshje ndryshe nga ajo me Teutën. Do luajmë me pasion dhe jemi të kënaqur që ndeshja luhet në një fushë të mira si ajo e Elbasanit. Kemi bërë gabime dhe kemi reaguar më pas. Ndoshta ky është çelësi i suksesit, pasi jemi ngritur sa herë jemi rrëzuar”, përfundoi trajneri gjerman në daljen e tij në vigjilje të ndeshjes në Elbasan ndaj Kukësit.
