"Këtu është rruga e vdekjes", në Institut mungon sinjalistika, këmbësorët: Jemi të rrezikuar
Mungesa e sinjalistikës rrugore prej shumë vitesh ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve ne rrugën "Ali Ibra" dhe "Elez Isufi" në zonën pranë Institutit Bujqësor.
Gati në çdo orë të ditës aty krijohet një gjendje kaotike jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe për vetë këmbësorët.
Kalimtarët që janë edhe më të rrezikuarit nga mungesa e sinjalistikës, kërkojnë marrjen e masave për të garantuar kalimin e sigurt në këtë segment problematik.
"Shumë vështirë, problem është, duhet të venë semaforë kudo, si këtu edhe në Institut dhe te Treshi, përherë bëhen aksidente," thotë një banor.
"Me zor kalojmë, me vështirësi," thotë banorja.
"Edhe populli s'ka si të kalojë këtej po nuk pati një semafor tamam, këtu është rruga e vdekjes," thotë banori.
"Duhet një semafor se si vijnë makinat ne nuk mund të ecim shpejt," thotë banori.
Ndërkohë,sipas tregtarëve të zonës, mungesa e semaforëve është bërë shpesh herë edhe shkak për aksidente.

