Misioni i SHBA në OSBE "shuplakë" Ramës: U përdor adminsitrata, të shqetësuar mbi rrjedhjen e të dhënave personale

Përdorimi i administratës shtetërore në zgjedhje, blerja e votës dhe keqpërdorimi i të dhënave personale të qytetarëve janë komentuar me shqetësim nga misioni i SHBA pranë OSBE-së në Vjenë në një deklaratë lidhur me zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.  Zv.shefja e misionit amerikan ka përshëndetur deklaratat e SPAK për nisjen e një sërë krimesh zgjedhore që shoqëruan fushatën dhe votimet e 25 prillit.

Misioni i shba pranë  OSBE-së në Vjenw publikoi një deklaratë mbi zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri ku thekson se në këto zgjedhje u pa zbatimii i suksesshëm të kodit të ri zgjedhor.

Duke cituar raportin paraprak, deklarata thekson se shumica e anëtarëve të misionit vëzhgues përgëzuan sistemin e ri elektronik të identifikimit të votuesve si një mënyrë për të ulur rrezikun e votimit të dyfishtë, votimit familjar dhe falsifikimit. Shtetet e Bashkuara ishin gjithashtu të kënaqur kur panë të gjitha partitë përkatëse të marrin pjesë në zgjedhje, për herë të parë që nga viti 2017, thuhet në deklaratë. 

Sipas saj, ndërsa kishte shumë aspekte pozitive të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara vërejnë me vend konstatimin e misionit vëzhgues të OSBE-së se partia në pushtet krijoi përparësi të konsiderueshme përfshirë kontrollin e administratave lokale dhe keqpërdorimin e burimeve administrative.

Misioni i SHBA në OSBE vëren gjithashtu se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem.  Në deklaratë përforcohen shqetësimet mbi rrjedhjet e të dhënave personale të ndjeshme, duke përfshirë preferencat politike të votuesve.

Shtetet e Bashkuara përsërisin se zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të bëjnë përgjegjës çdo individ që shkel ligjin dhe pengon të drejtën e popullit të Shqipërisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në deklaratë misioni amerikan pranë OSBE-së shprehet se mirëpret njoftimin e SPAK për hetimet e nisura ndaj krimeve zgjedhore.

Deklarata e plotë

Shtetet e Bashkuara përgëzojnë popullin e Shqipërisë për angazhimin e tyre aktiv në zgjedhjet e tyre parlamentare në 25 Prill. Ne përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbajtjen e një procesi zgjedhor të mirë-organizuar dhe në mënyrë të përshtatshme transparente, pavarësisht nga sfidat e paraqitura nga pandemia dhe zbatimi i teknologjive të reja .

Vëmë re se këto zgjedhje panë zbatimin e suksesshëm të kodit të ri zgjedhor, rezultat i një kompromisi të lehtësuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Për më tepër, siç u përmend në raportin paraprak të ODIHR, shumica e bashkëbiseduesve të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (IEOM) përgëzuan sistemin e ri elektronik të identifikimit të votuesve dhe e panë sistemin si një mënyrë për të lehtësuar rrezikun e votimit të dyfishtë, votimit familjar dhe falsifikimit të zgjedhësve. Shtetet e Bashkuara ishin gjithashtu të kënaqur kur panë të gjitha partitë përkatëse të marrin pjesë në zgjedhje, hera e parë që ndodhi që nga viti 2017.  

Përmirësimet në kodin zgjedhor të Shqipërisë dhe pjesëmarrja e një numri partish në zgjedhje është demokraci në veprim dhe tregon angazhimin e Shqipërisë për zhvillimin e saj demokratik.

Ndërsa kishte shumë aspekte pozitive të zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara vërejnë konstatimin e misionit vëzhgues të OSBE-së se partia në pushtet nxori përparësi të konsiderueshme nga detyra e saj, përfshirë përmes kontrollit të administratave lokale dhe keqpërdorimit të burimeve administrative. Ne gjithashtu vërejmë konstatimin e tyre se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem dhe ne përforcojmë shqetësimet mbi rrjedhjet e të dhënave personale të ndjeshme, duke përfshirë preferencat politike të votuesve. Shtetet e Bashkuara përsërit se zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të mbajnë përgjegjësi çdo individ që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit të Shqipërisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne mirëpresim njoftimin e  SPAK për hetimet e krimeve zgjedhore.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë në raportin përfundimtar të ODIHR dhe inkurajojnë Shqipërinë të përdorë këtë raport për të përmirësuar më tej proceset zgjedhore të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në demokraci, mbrojtje dhe tregti.