Në prani të djalit, ish polici vret gruan para gjykatës së Elbasanit. Plumbat kapin edhe avokatin e kalimtarin
Policia jep informacionin mbi krimin e rëndë të ndodhur pranë ambienteve të Gjykatës së Elbasanit mesditën e 6 majit 2021.
Plumbat e armës së ish efektivit të policisë që vranë bashkëshorten e tij kanë plagosur edhe një avokat dhe një kalimtar të rastit.
Koço dhe Liljana Buzo ishin prindër të dy djemve dhe gazetarja e Ora News, Edisona Skenderaj, mëson se njëri prej tyre ka qenë aty kur ka ndodhur krimi.
Si ndodhi vrasja?
Çifti kishte shkuar në gjykatë. Koço Buzo ishte marrë i pandehur për akuzën e “Dhunës në familje”. Çeshtja gjyqësore ditën e sotme ishte për diskutim në seancë paraprake, ku gjyqtarja e çështjes Miranda Çekrezi, ka thirrur palët për tu ballafaquar në gjyq.

"Rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, shtetasi K. B., 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. B., 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur dhe avokati i Liljanës, Gëzim Toçila nga Gramshi si dhe një kalimtar i rastit i identifikuar si Adriatik Kolaj. Avokati ka marrë plagë në këmbë dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa kalimtari është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë dhe pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes
