Më shumë dhunë në familje gjatë pandemisë, sociologia: Izolimi shtoi konfliktet

Viti 2020 ishte një sfidë në të gjithë globin për shkak të kufizimeve nga COVID-19. Gjatë kësaj periudhe, në Shqipëri është vënë re një rritje e rasteve të dhunës në familje, çka dëshmohet dhe nga statistikat e INSTAT. Sipas sociologëve, shtimi i konflikteve ka ardhur si pasojë e izolimit apo rënies ekonomike nga pandemia.

Izolimi nga pandemia ishte një goditje e rëndë psikologjike, sociale e financiare. Një pjesë e madhe e qytetarëve humbën punën duke vuajtur pasojat ekonomike.

"Pandemia u karakterizua jo vetëm nga kufizme, izolime, karantimi, humbja e të afërmve, humbja e vendeve të punës, nga varfërimi po ashtu, por u shoqërua dhe me një izolim të individëve nga njëri-tjetri, gjë e cila bëri që edhe një dukuri e re të vihej re siç ëahtë ajo e të huajësimit të njërit nga tjetri."

Gjithashtu mbyllja brenda 4 mureve të shtëpisë për disa familje ndikoi në afrimin mes pjesëtarëve por gjatë vitit të kaluar u pa dhe një rritje e rasteve të dhunës.

Dhuna në familje kanë përmasa shqetësuese në shoqërinë shqiptare. Reagimi i institucioneve vijon të jetë një sfidë më vete.

"Situata është më komplekse, edhe qytetarët vetë hezitojnë të denoncojnë kur shohin se institucionet nuk i marrin seriozisht denoncimet e tyre."

Shumë raste dhune kanë përfunduar në gjykatë. Për avokatin, Erjon Kullolli, ky trend tregon ndërgjegjësimin e qytetarëve.

"Është vënë re një rritje e kallëzimeve, viktimat e dhunës në familje janë ndërgjegjësuar për të mos heshtur por për tu drejtuar drejt organeve ligjzbatuese."

Sipas INSTAT, rastet e dhunës në familje janë rritur gjatë vitit 2020 me një total prej 1505 të tilla, ndërsa në 2019 kishim 1341.