Vrasja e Xhuvanit në Elbasan, procedim penal për dy zv/drejtorët e policisë dhe patrullën
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur zyrtarisht procedim penal mbi dy zëvendësdrejtorët e policisë në Elbasan Albert Nushi dhe Niko Palla e patrullën e policisë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit.
Hetimet për rastin po kryen në bashkëpunim me prokurorinë e Elbasanit.
Dy drejtuesit, në momentin e vrasjes kanë qenë në vendngjarje.
Burime bëjnë të ditur se janë mbi 10 punonjës policie dhe dy zv/drejtorët që janë në hetim nga SHÇBA.
Përplasja me armë që u mbyll me një viktimë dhe katër të plagosur, mes të cilëve edhe një efektive e Policisë së Shtetit, u regjistrua në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.
Viktimë mbeti Pjerin Xhuvani, një personazh i njohur në qytet dhe i akuzuar nga Partia Demokratike si një prej eksponentëve të PS të përfshirë në përplasjen e dhunshme të 14 marsit në Elbasan.
Të plagosurit u identifikuan si Emiljan Prenga 39 vjeçar, Pavlo Vuksani 50 vjeçar, Eltjon Bodinaku 32 vjeçar dhëndëri i Pjerin Xhuvanit.
Nga të shtënat me armë e plagosur ka mbetur dhe efektivja e policisë Xhensila Sota 27 vjeçare.
Autori i dyshuar i është Arbër Paplekaj, ish-efektivi i forcave Speciale të Policisë së Shtetit, i angazhuar me sigurinë në Shtabin elektorale të Partisë Demokratike në Elbasan.
Disa orë pas ngjarjes ai u vetëdorëzua në Tiranë, ndërsa në dëshminë e pare deklaroi se kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes pasi qëllua nga pala tjetër.


