Rivijëzimi i kufijve, Rama: Shengeni Rajonal vizioni i së ardhmes, s’duhet të riballkanizohemi

Kryeministri Edi Rama vijon të jetë i bindur se “Shengeni rajonal” është vizioni për një Ballkan që shkon drejt europianizimit.

Në konferencën e përbashkët për medien me komisionerin për zgjerimin e BE-së, Varhelyi, Rama tregoi se nuk e sheh "zgjidhje magjike” , as rivijëzimin e Ballkanit ndërsa konfliktet joproduktive duhet të lihen pas.

"Shengeni rajonal është rruga ku ne duhet të ecim përditë, ndërkohë që diskutojmë në mënyrë civile mosdakortësitë tona. 

Shengeni rajonal është një vizion dhe një projekt i përqafuar plotësisht nga BE, i mbështetur plotësisht nga Komisioni dhe komisioneri është një kontributor konkret i këtij projekti me planin e investimeve. Kështuqë ka kaq shumë mundësi që na takon ne ti shfrytëzojmë maksimalisht saqë është vërtetë gjynah të humbasim kohë të çmuar duke  prodhuar e riprodhuar historia që na çojnë asgjëkundi.

Nuk shoh asnjë mundësi që ne të gjejmë zgjidhje magjike për problemet që duhet të zgjidhim me shumë durim në rajon, por jam i bindur që sa më shumë ta përmisojmë atmosferën e marrëdhënieve ekonomike, sociale, fqinjësore mes vendeve aq më shumë krijojmë kushtet që edhe mosdakortësistë e mëdha të trajtohen në mënyrë civile, europiane dhe në mënyrë produktive.

Konfliktet joproduktive na kanë lënë mbrapa, fatkeqësisht artin e sajimit të konflikteve joproduktive e kemi realisht një art për të cilin s’na konkurron askush. Ne duhet të europianizohemi dhe s’duhet të riballkanizohemi, ndërkohë që jemi në mes të rrugës midis ballkanizimit dhe europianizimit, kështuqë le të fokusohemi tek gjërat që kanë lidhje drejtpërdrejtë me jetën e njerëzve, me jetën e popujve tanë, me të ardhmen e vendeve tona, ndërkohë që konfliktet duan kohën e tyre për t’u zgjidhur. Unë jam shumë dakort me komisionerin që çdo përpjekje për të dhënë çelësa magjik që i hapin dyert e të ardhmes me një të rënë lapsit çon vetëm në atë që kemi parë në të shkuarën e Ballkanit e që nuk duhet të përsëritet më kurrë."

Rama tha se duhen lënë pas konfliktet joproduktive madje premton se në mandatin e tretë do i kushtojë vëmendje më të madhe kësaj.

“Unë e kam dhënë opinionin tim dhe nuk do lodhem së përsërituri që ne duhet të ulim prodhimin e historisë dhe duhet të rrisim prodhimin e ekonomisë.

Mandati ynë i tretë, do të jetë, ndër të tjera,shumë i fokusuar në drejtim të uljes së prodhimit të historisë dhe të historive, që këtu në Shqipëri, prej 30 vitesh i prodhojmë me kapacitet të plotë duke iu marrë jashtëzakonisht shumë energji njerëzve dhe duke iu lënë shumë më pak energji se saç meritojnë punët e vendit dhe hallet e njerëzve dhe përsa i përket Ballkanit, vizioni im dhe bindja ime është shpallur Shengenin rajonal është rruga ku ne duhet të ecim përditë, ndërkohë që diskutojmë në mënyrë civile mosdakortësitë tona.”