Situatë kritike në Indi, 25 % të vdekjeve botërore nga Covidi javën e kaluar

Vala e dytë e Koronavirusit e ka kapur të papërgatitur gjigantin aziatik, Indinë. Janë me mijëra qyetarë që humbin jetën përditë, ndërsa ekspertët thonë se shifrat mund të jenë 10 herë më të larta se ato zyrtare. Vende të tjera anekënd botës janë duke dërguar ndihma në Indi për të luftuar pandeminë.

India ka një rritje të madhe të infektimeve me Koronavirus, ndërsa shifrat e bëra publike nga gjiganti aziatik përbëjnë gati gjysmën e rasteve botërore të Covidit të raportuara javën e kaluar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi në në raportin e saj javor epidemiologjik se India përbënte 46% të rasteve globale dhe 25% të vdekjeve globale të raportuara gjatë javës së kaluar.

Në vendin aziatik janë shfaqur probleme të mëdha në rrjete spitalore dhe menaxhimin e situatës, ndërsa nëpër spitale po mbarojnë shtretërit dhe oksigjeni. Gjithashtu, morgjet dhe krematoriumet janë të tejmbushur, teksa vende të ndryshme të botës po dërgojnë ndihma në Indi.

Qeveria e Kryeministrit Narendra Modi është kritikuar për mosveprimin në kohë për të parandaluar valën e dytë të koronavirusit, teksa doktor Fauçi ka sugjeruar që India të bëjë një mbyllje totale.

Mungesa e oksigjenit në vend është kthyer në një problem jetik, ndërsa njërëz po vdesin anekënd Indisë, dhe bëjnë apel për ndihmë. Ekspertët e shëndetit thonë se numri aktual i të ndarëve nga jeta dhe të të infektuarve në Indi mund të jetë pesë deri në 10 herë më i madh se numri zyrtar.

Ndërkohë, këtë të mërkurë, ministri i Jashtëm i Indisë është detyruar të tërhiqet nga pjesëmarrja në takimin e G7-ës në Londër pasi u zbuluan dy raste pozitive me koronavirus në delegacion. Ai do të marrë pjesë virtualisht në takim, megjithëse nuk ka dalë pozitiv në test.