E djathta mban Madridin, humbin socialistët

Edhe pas 26 vitesh e djathta spanjolle ka mundur ta mbajë qeverinë rajonale të Madridit duke sfiduar bindshëm ekzekutivin socialist të kryeministrit, Pedro Sançez. Isabel Diaz Ajuso pritet të formojë aleancë me partinë e ekstremit të djathtë, me partinë antiemigracion "Boks".

Madridi i ka mbetur sërish të djathtëve pas zgjedhjeve që rajoni spanjoll mbajti të martën.

Edhe pse fitoi 44,7% të votave dhe i dyfishoi mandatet për Partinë Popullore, Isabel Diaz Ajuso nuk e siguroi dot shumicën, por e mundi kandidatin socialist të kryeministrit Sançez.

42-vjeçarja Ajuso ka qenë kritike me qeverinë qendrore, ka qortuar menaxhimin e pandemisë dhe i ka rezistuar thirrjeve për ta izoluar rajonin e pasur që partia e saj e drejton prej 26 vitesh.

"Madridi është për lirinë dhe ata nuk e kuptojnë si jetojmë, prandaj doktrina Sançez nuk e merr dot Madridin, sepse nuk e menaxhon dot, sepse nuk mund të imponohet."

Konservatorët numërojnë 65 mandate nëse do bëjnë aleancë me ekstremin e djathtë, me partinë Vox [Boks], e cila mori 13 përfaqësues.

Kryesocialisti Pedro Sançez e uroi Ajuson për fitoren.

48 karriget e tjera ndahen përgjysmë mes progresistëve dhe Partisë Socialiste.

Ndërkohë të majtët e "Podemos"-it fituan vetëm 10 mandate.

Kryetari i partisë, Pablos Iglesias, i cili këto zgjedhje i kishte quajtur garë mes demokracisë dhe fashizmit, deklaroi largimin nga politika.

"Jam shumë krenar që shërbeva si zv.kryeministër, që udhëhoqa një projekt politik i cili ndryshoi historinë e vendit, i dha fund sistemit dypartiak, por kur nuk je më i dobishëm, dihet që duhet të tërhiqesh."

Në zgjedhjet e parakohshme të së martës u ftuan të votojnë mbi 5 milionë spanjollë.

Edhe në mesin e pandemisë kishte radhë të gjata votuesish, ndërsa ora e fundit e votimeve u rezervua për personat e infektuar me kovid-19 ose ata që po qëndrojnë në karantinë.