Vaksinim edhe për fëmijët 12-15 vjeç
Fëmijët amerikanë 12-15 vjeç do jenë objektivi i radhës për t'u imunizuar kundër Covidit-19, teksa po ngadalësohet ritmi i vaksinimeve në SHBA. Entoni Fauçi, eksperti për pandeminë, thotë se imunizinimi edhe i fëmijëve është i nevojshëm për t'u rikthyer jeta normale.
Amerika synon të vaksinojë 70 për qind të të rriturve brenda 4 korrikut, me rastin e Ditës së Pavarësisë.
105 milionë apo një e treta e amerikanëve kanë marrë të paktën një nga dozat kundër Covidit-19 dhe gati 1 milion veta po imunizohen përditë.
Presidenti Xho Bajden tha se tashmë vaksinimi duhet të nisë gradualisht edhe me fëmijët.
"Së pari, me fëmijët e moshave midis 12 dhe 15 vjeç që tani nuk e kanë të drejtën e vaksinës. Dozat do ua shpërndajmë direkt pediatërve gjatë javëve në vijim që prindërit dhe fëmijët të flasin me mjekun e familjes dhe ta bëjnë vaksinën atje ku besojnë më shumë."
Agjencia amerikane për ushqimet dhe barnat aktualisht përdor vetëm vaksinën "Pfizer" për të rinjtë mbi 16 vjeç dhe po shqyrton mundësinë për t'ia bërë atë të mundur më të vegjëlve.
Edhe agjencia simotër europiane, EMA, po vlerëson "Pfizer"-in për moshat 12-15 vjeç.
Këshilltari i presidentit amerikan për pandeminë, Entoni Fauçi, ka thënë se imunizimi i fëmijëve mund të nevojitet për t'u kthyer te jeta normale.
Sipas tij, imuniteti i tufës do të arrihet kur 90 për qind e amerikanëve të jenë të mbrojtur kundër kovidit-19, nga 70 që kishte deklaruar më parë.
Mbi 570 mijë nuk i kanë mbijetuar virusit korona, ndërsa 32 milionë amerikanë kanë arritur ta kalojnë, më shumë se çdo vend tjetër.



