Andoni: Shkarkimi i Metës i sforcuar, ka vetëm shkelje etike, Basha të marrë përgjegjësinë e humbjes


Ben Andoni

I ftuar në RTV Ora, analisti Ben Andoni u shpreh se nisma e mazhorancës për shkarkimin e Metës është e sforcuar.

Sipas Andonit, shkeljet e Metës janë më shumë etike dhe tregojnë standardin  e politikës që e ka zgjedhur presidentit aktual.

Andoni: Unë mendoj se nisma e mazhorancës për shkarkimin e Metës është e sforcuar. Janë shumë pak elementë që mund t'i mvishen atij. Presidenti mund të penalizohen vetëm kur ka probleme shëndetësore dhe shkelje shumë të rënda. Këto janë shkelje më shumë etike dhe tregon standardin e politikës që e ka zgjedhur Metën. Në këtë pikë është shumë e vështirë sepse mungon pjesa morale e kuvendit për të hedhur poshtë Metën. Unë mendoj se presidenti, me gjithë problematikat që i ka sjellë opozitë, ai duhet të qëndrojë deri në fundit të mandatit të tij.

Andoni theksoi se shumë veprime të Metës, sidomos në kthimet e dekreteve kanë qenë të arsyeshme, ndërkohë retorika e rëndë në fushatë ka qenë jo e përshtatshme.

Andoni: Shumë veprime të Metës, sidomos në kthimet e dekreteve kanë qenë të arsyeshme. Ndërkohë retorika e rëndë në fushatë ka qenë jo e përshtatshme, sidomos me përgjigjet kundrejt ambasadores amerikane. Këto nuk janë aspak etike për mua, por gjithsesi kjo futet te standardi që ka presidenti ynë, gjë për të cilën duhet të turpërohemi të gjithë.

Andoni shtoi se me kalimin e kohës forcat politika e kanë ulur standardin e zgjedhjeve në vend, duke thënë se përgjegjësja më e madhe është e PS-së.

Andoni: Në vendin tonë njihen zgjedhjet vetëm kur fiton opozita. Me kalimin e kohës forcat politika e kanë ulur standardin e zgjedhjeve në vend. Sigurisht që përgjegjësja më e madhe është e PS-së. Kur komisionerët kanë firmosur procesverbalet ka një problem shumë të madh me moralin e këtyre personave. Basha duhet të marrë përgjegjësinë e humbjes, sepse është përgjegjës edhe në këto kushte, të cilat nuk po i provon dot ato që pretendon.