"Me urdhra në WhatsApp", deputetët që morën mandatet e djegura të PD-LSI nuk njohin zgjedhjet
Opozita e re i është përgjigjur ftesës për tu mbledhur në seancë plenare për të shqyrtuar kërkesën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Por në Kuvend politikanët që morën mandatet e djegura nga PD dhe LSI kanë akuzuar për manipulim dhe tjetërsim të votave në 25 prill.
Një javë pas zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi është mbledhur sërish në seancë, duke e nisur me homazhe në nder të Bashkim Finos, i cili u nda nga jeta në 29 mars pas betejës me koronavirusin.
Të thirrur me urgjencë, 120 deputetët e mbetur pas djegies së mandateve prej PD dhe LSI do të nisin procedurën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, e për këtë e kanë marrë njoftimin nga nënkryetarja Vasilika Hysi.
Seanca e rradhës për këtë çështje do të zhvillohet të premten, kur Komisioni i Ligjeve do të propozojë Komisionin Hetimor për Presidentin.
Balla: Për seancën e planifikuar pasnesër do të kërkoja të shtyhej me një ditë dhe të zhvillohet ditën e premte.
Propozimi i mazhorancës nuk hasi në kundërshtime të parlamentarëve, të cilëve mandati u përfundon në 8 korrik.
Por në seancë, opozitarët e rinj, deklaruan se nuk i njohin zgjedhjet.
Gjuzi: Kujtim Gjuzi numër 1 dhe numër 5, i kanë futur një numër 12 PS.
Murrizi: Numëruesit tuaj mercenarë të urdhëruar në WhatsApp kanë dërguar vota me shumicë.
Por nga foltorja e Kuvendit, Taulant Balla, shigjetoi Lulzim Bashën ndërsa paralajmëroi reformë në KQZ.
Balla: U kthyem përsëri te avazi i vjetër që humbësi nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve. Këto zgjedhje duhet të jenë zgjedhjet e fundit që u administruan nga komisionerë politik, nga numërues politik.
Tashmë do të jetë Komisioni i Ligjeve që do të shqyrtojë kërkesën e PS për shkarkimin e Presidentit me argumentin se nuk ka përfaqësuar unitetin e kombit në fushatën elektorale.
Madje në një nga pikat thuhet se me qëndrimet e dhëna Meta ndikoi në ngjarjen e Elbasanit me pasojë 1 viktimë dhe 4 të plagosur.
“Të humburit” dhe “të fortët” e PS
4 Maj, 13:50


