Turizëm? Mbetje peshku e gjallesa të tjera shtazore rrugës për në Shëngjin

Mbetje peshku e gjallesash të tjera shtaznore janë hedhur buzë rrugës që të çon në zonën turistike të Shëngjinit në Lezhë.  Alamin për krimin mjedisor e ngrenë banorët e zonës, që thonë se autoritetet edhe pse janë lajmëruar nuk kanë marrë asnjë masë për të gjetur përgjegjësit dhe për të pastruar ndotjen.

Këto pamje vijnë nga rruga që të çon drejt zonës turistike të Shëngjinit në Lezhë.

Mbetje peshku e gjallesash të tjera janë hedhur prej disa ditesh në anë të rruges në lagjen "Xhenjo".

Banorët e konsiderojnë një krim të rëndë mjedisor dhe kërkojnë që të merren masa të menjëhershme për pastrimin e mbetjeve.

"Problem shumë i madh, rrezik me ra kolera me gjithë këto mbeturina, nuk flemë dot prej tyre."

"Ne që banojmë këtu e vuajmë."

Mbetjet dyshohet të jenë hedhur gjatë natës, ndërsa autoritetet nuk kanë kryer asnjë veprim për identifikimin e autorëve apo dhe pastrimin e mbetjeve që kanë ndotur të gjithë zonën.

Në këtë situatë ky është prezantimi më i shëmtuar që i bëhet bregdetit të Shëngjinit në prag të sezonit turistik.